UEFA ka vendosur tashmë edhe datat, oraret dhe stadiumin ku do të luhen ndeshjet e grupit 7 të raundit të parë të UEFA Women’s Champions League. Këto duele do të zhvillohen në Shkodër, ku merr pjesë edhe Vllaznia kampione. Sfida e parë mes Valurit të Islandës dhe Fomget Gençlikut të Turqisë është programuar më 6-shtator në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, duke nisur nga ora 10:00 e paradites. Ndërkohë, po më 6-shtator do të zhvillohet në “Loro Boriçi” edhe sfida tjetër mes Vllaznisë dhe Hajvalisë së Kosovës. Dy fitueset e dalura nga këto dy ndeshje, do të luajnë një finale me njëra-tjetrën dhe vetëm një prej tyre do të avancojë për në raundin e dytë.

Ndërkohë që, edhe dy skuadrat humbëse do të përballen në një sfidë të fundit për të kompletuar renditjen e grupit. Më konkretisht, ndeshja mes ekipeve fituese të dy çifteve do të luhet më 9-shtator në Shkodër, duke filluar nga ora 18:00. Ndërkohë, përballja mes dy ekipeve humbëse do të luhet në të njëjtën datë dhe do të startojë në orën 10:00. Zhvillimi i ndeshjeve në Shkodër është një avantazh për Vllazninë, që tashmë do të drejtohet nga trajneri shkodran Haris Lika dhe që synon sërish të përsërisë suksesin e vitit të kaluar dhe të kualifikohet në fazën e grupeve të UEFA Women’s Champions League.

Në raundin e parë të këtij kompeticioni marrin pjesë 41-skuadra, të ndara në 11-grupe, ku tetë prej tyre janë me nga katër ndërsa tre prej tyre me tre ekipe. Ndërkohë vajzat e Vllaznisë javët e fundit kanë afruar në radhët e tyre disa futbolliste të huaja si përforcime për pjesëmarrjen në Europë. Lojtaret e reja dhe trajneri i ri Haris Lika pritet që të zyrtarizohen në ditët në vazhdim nga Presidenti Lazër Matija.

Artikulli paraprakMIJËRA TURISTË NË LUMIN E SHALËS
Artikulli tjetërZJARRET SHKATËRRUESE, ARRIN NË 80 NUMRI I VIKTIMAVE NË HAVAI