Eurostat publikon çdo vit raportin mbi nivelin e çmimeve të qirave, për të bërë një krahasim objektiv të kostove të jetesës për individët që punojnë jashtë vendit. Për hartimin e këtij raporti janë pyetur agjencitë e pasurive të paluajtshme në vendet përkatëse. Në krahasim me një vit më parë, çmimet e qirave në Tiranë kanë shënuar rritje.
Sipas publikimit të Eurostat, një shtëpi me 3 dhoma kushtonte në 2018-n 730 euro, nga 670 që ishte një vit më parë. Ndonëse me një rritje më modeste, apartamentet me 2 dhoma kushtonin rreth 540 euro, nga 520 euro që ishin një vit më parë.
Po ashtu edhe apartamentet me sipërfaqe më modeste, vetëm me një dhomë, me sipërfaqe 60-80 metra katrorë, u rritën në 370 euro, nga 350 një vit më parë.
Agjencitë kanë raportuar rritje të çmimit edhe për vilat, ku sipas Eurostat, çmimi mesatar i qirave në 2018-n ishte 1400 euro, nga 1350 euro. Në total, Eurostat përllogarit se çmimet e qirave në raport me një vit më parë u rritën 6%. Zonat të cilat janë marrë në shqyrtim për të sjellë këto çmime janë zona 2/1 apo ndryshe Rruga e Elbasanit, zona 2/2, zona 5/1 (ku përfshihet edhe Blloku), zona 5/2, zona 7/1, 7/2, 10/3, Selitë, Kodra e Diellit dhe Sauk.
Për vitin 2018, qiratë e shtëpive ishin më lirë se në kryeqytetin serb dhe në atë boshnjak. Për të njëjtën sipërfaqe, pra për një shtëpi 3+1, me sipërfaqe 110-130 metra katrorë, qiraja mesatare në Serbi ishte 1350 euro dhe në Bosnjë 820 euro.
Për shtëpitë 2+1, me sipërfaqe 80-100 metra katrorë, Shqipëria dhe Bosnja ka të njëjtin nivel, me një qira mesatare mujore prej 540 eurosh, ndërsa në Serbi 960 euro.