Zvicër, evakuohet avioni pas alarmit për bombë. Arrestohet një rus
Një avion pasagjerësh është evakuuar në Aeroportin “Cointrin” të Gjenevës në Zvicër, ndërsa është arrestuar një person, i cili kishte thënë se në bordin e tij ndodhej një bombë. Lajmi është konfirmuar nga zyra e Prokurorisë së Gjenevës përmes një deklarate për shtyp. Ndërkohë, deklarata e “Aeroflot”, kompanisë së fluturimit që menaxhonte avionin në fjalë tha se “fluturimi 2381” me destinacion Moskën është ndalur, ndërsa pasagjerët do të transferohen në një tjetër aeroplan për të vijuar udhëtimin. Një zëdhënës i prokurorit të Gjenevës tha se personi i arrestuar ishte shtetas rus, ndërsa shton se në bord gjendeshin 115 persona. Zyra e prokurorisë njoftoi gjithashtu se në vendndodhje ishte dërguar menjëherë një ekip policor për çaktivizimin e bombave, ndërsa avioni, sipas një zëdhënësi të aeroportit, po qëndron ende i boshatisur në pistë.