Zyrtarët në Evropën Qendrore shprehën shqetësimin të dielën se po arrinin kapacitetin maksimale për një strehim në kushte normale të një pjesë prej afro 3.5 milionë refugjatëve që janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i sulmit të Rusisë. Shumica e ukrainasve kanë mbërritur në Poloni, Sllovaki, Rumani dhe Hungari, sipas të dhënave të përpiluara nga agjencia e OKB-së për refugjatët, duke ushtruar trysni mbi vendet e Bashkimit Evropian që po përpiqen tashmë t’i strehojnë.

Ministri i Brendshëm çek Vit Rakusan tha se qeveria do të kërkojë të zgjasë gjendjen e emergjencës për të trajtuar fluksin e refugjatëve. Për të lehtësuar trysninë zyrtarët po përpiqen të zhvendosin të ardhurit rishtazi, jashtë kryeqytetit të vendit, Pragës. Parlamenti çek miratoi gjithashtu tre ligje këtë javë duke e bërë më të lehtë për refugjatët ukrainas që të gjejnë një punë, të kenë sigurim shëndetësor e shkollim. Zëvendëskryeministrja e Ukrainës Iryna Vereshchuk tha se shtatë korridore humanitare do të hapen të dielën për t’u mundësuar evakuimin e civilëve nga zonat ku ka luftime. Ndërkohë në Poloni që nga fillimi i luftës kanë mbërritur më shumë se 2 milionë ukrainas. Zyrtarët në Varshavë thonë se kjo ka bërë që popullsia e kryeqytetit prej 1.8 milionë banorësh të rritet me 17%.

Rusia, thotë se po zhvillon një operacion special ushtarak në Ukrainë që synon çmilitarizimin e këtij vendi. Por Ukraina dhe Perëndimi e quajnë atë një luftë agresive e të paprovokuar të ndërmarrë nga Presidenti rus Vladimir Putin.

Artikulli paraprakNUK KA QETËSI NË GREQI, VENDI GODITET SËRISH NGA NJË TËRMET I FORTË
Artikulli tjetërMETA PËR FËMIJËT ME SINDROMËN DOWN: NXIS INSTITUCIONET T’I DËGJOJNË ME PËRULËSI …