Kompania “Facebook” thotë se ka fshirë pothuajse 800 faqe, grupe dhe llogari të koordinuara, joautentike të drejtuara nga Irani, që ishin pjesë e një fushate manipulimi që vepronte në më shumë se 20 vende të botës duke përfshirë edhe Shqiperinë.
Rrjeti më i madh social në botë tha më 31 janar se ai bashkëpunonte ngushtë me Twitter për të zbuluar llogaritë, të cilat shfaqnin indikatorë me “qëllime keqdashëse”.
“Gjithsej 783 faqe, ishin pjesë e një fushate për të nxitur interesat iranianë jashtë vendit duke krijuar identitete të rreme si banorë të vendeve në fjalë” tha në një deklaratë, Nathaniel Gleicher, kreu i sigurisë kibernetike në Facebook.
“Ne po punojmë vazhdimisht për të zbuluar dhe ndaluar këtë lloj aktiviteti, sepse nuk duam që shërbimet tona të përdoren për të manipuluar njerëzit”, tha Gleicher.
“Ne po i heqim këto faqe, grupe dhe llogari të bazuara në sjelljen e tyre, jo në përmbajtjen që ata dërgojnë. Në këtë rast, njerëzit që qëndronin pas këtij aktiviteti u koordinuan me njëri-tjetrin dhe përdorën llogaritë e rreme dhe kjo ishte baza për veprimi ynë “, shtoi ai.
“Edhe pse njerëzit që qëndronin pas këtij aktiviteti u përpoqën të fshehin identitetet e tyre, shqyrtimi ynë manual i lidhi këto llogari me Iranin”, shtoi ai.
Facebook tha se llogaritë e rreme ishin pjesë e një fushate të ndikimit që vepronte në Afganistan, Shqipëri, Algjeri, Bahrein, Egjipt, Francë, Gjermani, Indi, Indonezi, Iran, Irak, Izrael, Libi, Meksikë, Marok, Pakistan, Katar, Arabi Saudite , Serbi, Afrika e Jugut, Spanjë, Sudan, Siri, Tunizi, Shtetet e Bashkuara dhe Jemen/REL.