Rreth 140 mijë pronarë mjetesh do të përfitojnë falje të plotë ose të pjesshme të detyrimeve që kanë pa paguar për mjetet e tyre.
Përfituesit janë ndarë në dy kategori. E para është për pronarët e mjeteve, të cilit prej vitit 2000 deri në 2011- ën nuk kanë paguar asnjë taksë për mjetin dhe makinat e tyre duan t’i nxjerrin nga qarkullimi. Pronarët e këtyre makinave do të përfitojnë falje të të gjitha detyrimeve, d.m.th. të taksave, gjobave dhe kamatave, por duhet që brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e faljes t’i drejtohen Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor për çregjistrim dhe nxjerrjen nga qarkullimi të mjetit.
Ndërsa pronarët e makinave që për të njëjtën periudhë, nga viti 2000 dhe deri në dhjetor të vitit 2011 nuk kanë paguar taksat dhe duan të mbajnë në qarkullim mjetin, duhet të paguajnë vetëm taksat për të gjithë periudhën dhe përfitojnë falje të kamatave. Skema është bërë e ditur nga burime zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, të cilat bëjnë të ditura që janë një pjesë e konsiderueshme mjetet që nuk kanë përfituar nga amnistia e vitit 2009, pasi pronarët e tyre nuk kanë aplikuar. Sipas të njëjtave burime, për makinat që kanë detyrime për taksa dhe gjoba pas janarit 2012, do të përfitojnë falje të gjobave vetëm në rast se kryhet pagesa e detyrimeve tatimore