Është shkatërruar një grup kriminal me 16 anëtarë, i shtrirë në disa qytete, i cili kryente falsifikim dokumentesh dhe favorizim të emigracionit të paligjshëm.

Pas një hetimi disa mujor, në kuadër të operacionit “Pagesa E Fundit”, Policia e Fierit në bashkëpunim me të Tiranës, Korçës, Vlorës dhe Beratit arrestuan 8 persona dhe po kërkojnë 2 të tjerë, ndërsa 6 anëtarë të dyshuar të grupit po hetohen në gjendje të lirë.

Në pranga kanë përfunduar Jetnor Hoxhaj 42 vjeç, Eris Koliçi 28 vjeç, Xhevahir Myrtaj 53 vjeç, Artan Haxhiu 33 vjeç, Kostaq Papa 31 vjeç, Enton Lahollari 37 vjeç, Artan Hasani 48-vjeç, Barjam Hoxha 57 vjeç, të cilët ishin me banim në Fier, Sarandë, Pogradec, Tiranë dhe Kuçovë.

Ndërsa në kërkim janë shpallur – S.P. 41 vjeç, banues në Fier dhe V.Gj. 65 vjeç, banues në Korçë.

Sipas policisë, “S.P, Jetnor Hoxhaj, Eris Koliçi, A.H, Xhevair Myrtaj, Artan Haxhiu dhe A.N, të gjithë banues në qytetin e Fierit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, prej vitit 2017, ushtronin aktivitetin kriminal në fushën e falsifikimit të monedhave, falsifikimit të dokumenteve shkollorë, dokumenteve të gjendjes civile, të pasaportave, dokumenteve të emigrimit dhe të qëndrimit në vende të ndryshme të Bashkimit Europian, Kanada, Mbretëri e Bashkuar, Irlandë etj.”

Ata merrnin “porosi për pajisjen me dokumente te falsifikuar, personave të ndryshëm me banim në Fier, Lushnje, Mallakastër, nga Qarku i Beratit, Korçës, Vlorës, kundrejt pagesave që varionin nga 600 Euro deri 12,000 Paund.”

Pasi i merrnin këto porosi, nëpërmjet Eris Kolicit dhe A.H, i dërgonin me automjete të ndryshme të transportit të udhëtarëve si furgona, taksi, autobuza për në Tiranë tek Artan Hasani, i cili merrej me prodhimin e tyre.

“Dy-tre ditë pasi prodhoheshin këto dokumente në Tiranë, Artan Hasani i niste në të njëjtën rrugë për në Fier, ku dilnin dhe i prisnin shtetasit Eris Kolici dhe A.H, të cilët sipas porosive të S.P. dhe Jetnorit ua shpërndanin personave që kishin porositur.”

Artikulli paraprakFJALËT E KOLEGES QË E BËNË TË NDRYSHOJË…
Artikulli tjetërPARASHIKIMI I MOTIT 11 MARS 2018