Skandali i vdekjes së boksierit bullgar Boris Stanchkov në Shkodër, që i ngjan një afere korruptive dhe doping, vijon të thellohet akoma më shumë.
Pasi u tha fillimisht se ai kishte hyrë në Shqipëri me dokumentat e kushëririt të tij, i cili merrej me futboll dhe jo boks, tani prindërit e boksierit Stanchov akuzojnë trajnerin Ventsislav Georgiev, i cili pas ngjarjes u largua menjëherë nga Shqipëria.
E ëma e Boris, Simeonka Stanchkov, për televizionin bullgar është shprehur:“Trajneri na solli 400 euro dhe dy karta identiteti. E pyeta si është e mundur që djali im duelonte në ring me një tjetër emër. Mu përgjigj se nuk ishte në dijeni të kësaj çështje. Por, ai ishte trajneri i djalit tim, Boris dhe jo i Isus. Udhëtuan së bashku dhe trajneri e njeh boksierin që hipën në ring.”
Ndërkohë babai i Stanchkov, Alexander, deklaroi:
“E donte këtë sport dhe dëshironte të bëhej boksier profesionist. Më thoshte gjithmonë: babi do të jem i lumtur, nuk e imagjinon në çfarë niveli jam. Ëndërronte të bëhej si idhulli i tij, dy herë kampioni i Europës, Kubrat Pulev. Nuk besoj se në moshë aq të re do të përdorte substanca.”
Për ngjarjen ka folur edhe Isus Velichkov, kushëriri i Stanchkov, me letrat e të cilit boksieri kishte mundur të futej në Shqipëri.
“Prej një viti, Borisi përdorte me emrin tim. Më siguroi se nuk kishte problem dhe trajneri e dinte. E bënte sepse nuk donte të kishte asnjë humbje në ring në emrin e tij. Pas kësaj tragjedie shoh shumë parregullsi.
Si u sigurua licenca në emrin tim, kur nuk jam marrë asnjëherë me boks, por me futboll. Nuk ndihem në faj, nuk kam bërë asgjë. Tre-katër ditë para duelit Boris më erdhi në shtëpi, më mori kartën e identitetit dhe më tha se kur të kthehej do të festonim së bashku.”
Ndërkohë shokuese është edhe deklarata e shokut të Boris Stanchkov, i cili gjithashtu për mediat bullgare ka deklaruar se para ndeshjes trajneri i kishte dhënë një substancë dopuese.
“Trajneri i dha një ampulë me përmabjtje të panjohur, të cilën nuk e njoh. Kjo ndodhi për ta dobësuar, në mënyrë që të humbiste, por ai nuk pranoi ta pinte. Gjithsesi, përbërësi i ampulës iu hodh në një gotë uji dhe Borisi piu gjysmën.”