Njëri prej pronarëve të servisit të automjeteve ku punoi për afro katër muaji shtetasi afgan në Shkodër ka hedhur poshtë faktin se i mituri është mbajtur me forcë në punë. Lazër Pashuku, vëllai i të arrestuarit Alehandro Pashuku dhe të shpallurit në kërkim Kristjan Pashuku tregon se afganin e kanë mbajtur si të ishte njeri i familjes duke i dhënë bukë, ilaçe, para dhe duke e strehuar në banesën e tyre pasi e gjetën rastësisht në një lokal. Pronari i servisit ku u gjet afgani thotë se ai ka qenë tërësisht i lirë dhe ka lëvizur në gjithë qytetin.

Pronari shprehet se shtetasi afgan i ka thënë se është 19 vjeç dhe jo 16 dhe se ai ka komunikuar lirisht çdo natë me familjen e tij. Po ashtu Lazër Pashuku deklaron se të gjithë këtë afgani e ka bërë me qëllimin për të kërkuar azil dhe për t’u larguar tek familja e tij në Greqi.

Po ashtu babai i vëllezërve Pashuku, Aleksandër Pashuku shprehet se i ka hapur dyert e shtëpisë së tij duke fjetur aty dhe duke e trajtuar njësoj si djemtë e tij.

Policia vendore e Shkodrës arrestoi 19 vjeçarin Alehandro Pashuku dhe shpalli në kërkim vëllain e tij Kristjan Pashuku pasi shtetasi afgan i cili pretendon se është 16 vjeç dhe jo 19 siç është prezantuar fillimisht i ka denoncuar tek familja e tij se e kanë mbajtur me forcë gjë që familja Pashuku e hedh totalisht poshtë.

Artikulli paraprakBECI: DO LIROJMË KOLEKTORËT NGA NDËRTIMET
Artikulli tjetërGRIPI SEZONAL, 30-40 VAKSINA NË DITË