Ky është Gjelosh Rushaj, shtetasi që u aksidentua pak ditë më parë në rrugën e Dukagjinit në Shkodër i cili ndërroi jetë në spitalin e Traumës në Tiranë. 51 vjeçari çdo ditë të jetës së tij kontribuoi për zonën e Dukagjinit e cila për mbi 30 vite është lënë në harresë nga institucionet shtetërore. Teksa po punonte për hapjen e rrugës nga Karma e Boksit drejt Kalasë së Pjetër Spanit në Boks, Gjelosh Rushaj u aksidentua me fouristradën e tij duke rënë disa metra poshtë. Teksa po ndërrohej me një automjet të policisë për t’i hapur rrugën, ajo pjesë e rrugës u shemb sepse ishte në ndërtim e sipër. Edhe pse u hodh nga makina, dera e fouristradës e ka marrë me vete duke rënë drejt humnerës. Nga aksidenti mori dëmtime të rënda në trup. Një mjek që ndodhej në furgonin e policisë i ka dhënë ndihmën e shpejtë ndërsa efektivët kanë lajmëruar edhe një helikopter që e transportoi drejt Tiranës. Pas pak ditësh në spitalin e traumës, Gjelosh Rushaj nuk arriti që të përballojë plagët e rënda duke ndërruar jetë. Rushaj ishte një prej bashkëorganizatorëve të protestës për rikonstruksionin e rrugës së Dukagjinit në Shkodër duke kërkuar me ngulm që shteti të mundësojë atë aks në të cilin kanë humbur jetën mbi 60 persona. 51 vjeçari nisi punën me fadromën e tij në rrugën e fshatit ku është rritur por ai segment rrugor i mori jetën. Rushaj kishte dërguar 18 kamionë me zhavor dhe betonieren dhe të nesërmen do të shtronte rrugën me beton. Ndërkohë ende pa u bërë një vit, në nëtorin e vitit 2022 humbën jetën vëllai dhe nipi i Gjelosh Rushaj. Edhe dy pjestarët e tjerë të kësaj familje ndërruan jetë në vendin e quajtur Përroi i Thatë në Bogë të Malësisë së Madhe teksa uji i rrëmbyer i përroit i mori përpara. Ndërkohë para 16 vitesh në të njëjtën datë me aksidentin e tanishëm, më 6 korrik 2007, djali i xhaxhait i Gjelosh Rushaj po ashtu në të njëjtin vend u aksidentua bashkë bashkëshorten dhe disa persona të tjerë të afërt duke ndërruar jetë. Në 45 vite në total janë 10 anëtarë nga e njëjta familje që kanë humbur jetën në aksidentet rrugore në Dukagjin kryesisht dhe Malësinë e Madhe vitin e kaluar vetëm për shkak të mungesës së infrastrukturës. Prej vitesh banorët e Dukagjinit kërkojnë rikonstruksionin e atij aksi rrugor por deri më sot një gjë e tillë nuk është realizuar duke vijuar që të marrë jetë njerëzish në aksidente tragjike.

Artikulli paraprakU AKSIDENTUAN, NDËRROJNË JETË TË MOSHUARIT
Artikulli tjetërPROMOVOHET NË SHKODËR “DURRËSI URBAN”