Familjes iu dogj kulla por shteti i vjen në ndihmë
Tre familje në zonën e Dragobisë në Tropojë mbetën pak ditë më parë në qiell të hapur për shkak të një zjarri që ra në banesën e tyre, një kullë karakteristike e zonës. Zjarri i rënë nga një shkëndijë elektrike, la të gjithë pjesëtarët e familjeve Ismalaj pa një kulm mbi kokë në këto ditë të ftohta dimri. Menjëherë nga vënia në dijeni për ngjarjen, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi udhëtoi drejt Dragobisë, pranë familjeve Ismalaj për t’iu ofruar ndihmesën e nevojshme për anëtarët e këtyre familjeve, në zonën që prej ditësh është e mbuluar nga dëbora dhe me vështirësi aksesi për automjetet. Kryefamiljari Niman Ismalaj dhe djali i vogël i familjes Dorian Ismalaj i treguan ministrit Klosi për momementin e rënies së zjarrit, që fatmirësisht ra ditën duke iu dhënë kohë anëtarëve të dalin prej saj. “Fatmirësisht nuk pati të lënduar nga zjarri”, tregon kryefamiljari Nimani, por zjarri dogji tërësisht këtë banesë duke e bërë atë të pabanueshme. Këto ditë ata tregojnë se janë strehuar tek të afërmit e tyre, duke iu drejtuar autoriteteve për zgjidhje. Ministri Klosi, në bashkëpunim me prefekturën e qarkut dhe emergjencat civile, tha se menjeherë nga vënia në dijeni dhe interesimit e drejtëpërdrejtë të kryeministrit për rastet e familjeve në nevojë, u gjet zgjidhja e sistemimit të familjeve në një banesë në qytetin e Bajram Currit, e cila do t’ju dhurohet falë ofrimit të ndihmës nga bisnesi vendas. Me zhbllokimin e zonës nga dëbora, familjet do të ndihmohen edhe për rindërtimin e banesës, një nga më të vjetrat e krahinës ndërtuar nga të parët e tyre më shumë se 200 vjetë më parë. Familjarët thonë se ka edhe vlera historike, pasi ajo ka shërbyer në kohën e luftës si vendi i mbledhjes dhe i strehimit të patriotëve shqiptarë të kësaj zone. “Jemi këtu në Dragobi, së bashku me nënprefektin e Qarkut të Kukësit, në shtëpinë e një patrioti të vjetër dhe një nga më të vjetrat e zonës, e cila fatkeqësisht gjatë ditëve të fundit është djegur dhe është bërë e pabanueshme. Jemi për ta ndjekur nga afër këtë situatë dhe të gjejmë një zgjidhje të shpejtë duke bashkëpunuar me biznesin e zonës dhe me mundësitë që kanë emergjencat civile për ta sistemuar familjen në qytetin Bajram Curri e më pastaj këtë shtëpi monument culture, simbol i historisë së kësaj zone, ta kthejmë në simbol të dëshmisëe historike të jetëgjatësisë së saj. Pushteti lokal, nënprefekti dhe të gjitha strukturat e emergjencës civile, menjëherë sapo të kalojë kjo situatë e rënduar e borës do të afrohen pranë tyre, për të bërë të gjitha procedurat ligjore dhe të gjithë sistemimin normal. Por nga dita e nesërme, familja do të sistemohet në një banesë të re në qytetin e Bajram Currit, e cila do të jetë pronë e tyre”, deklaroi ministri Klosi. Dorian Ismalaj, djali i vogël i familjes u shpreh: “E falenderojmë shumë Ministrin që erdhi deri këtu. E falenderoj për vendimin shumë të mirë dhe falenderoj Kryeministrin në veçanti”.