Kisha katolike e Shkodrës kremtoi meshën e shenjtë në oborrin e kalasë Rozafa, ngjitur me rrënojat e objektit kishë-xhami në atë kala. Famullitari i Shkrelit dom Nikolin Sheldija gjatë predikimit për ditën e Shën Shtjefnit tha se shpesh e humbim domethënien e paqes nga emocionet politike, shoqërore e fetare dhe se duhet te kemi kujdes nga djajtë e edukuar.
“Jemi në kështjellën e Rozafatit, jemi në rrënjat tona të shqiptarizmit, jemi në thelbin, në bërthamën e krishtërimit shqiptar. Mjafton të kujtojmë vitet 200, 300 pas Krishtit ku këtu filloi të lulëzojë krishtërimi kur ne nuk ishim, mbase ishim në kozmos. Zoti ka dashur që të jemi dëshmitar, duke falenderuar edhe dëshmitarët që na mësuam këtë rrugë dhe na treguan se e vërteta dhe jeta është në Krishtin. Mësuesi jonë Krishti diti të falë, prej kryqit na përqafoi të gjithëve dhe tha o Atë fali se nuk dijnë çka bajnë. Shpesh edhe na në jetën tonë nuk dimë çka bajmë, nuk dimë se se nga të orientohemi, jemi të përfshirë dhe të mbërthyer nga shumë emocione, politike, shoqërore, fetare, shpesh herë e humbim edhe domethënien e paqes, harrojmë se kemi një Zot, që është krijuesi, themeluesi dhe dhuruesi i gjithësisë.
Vetë Jezusi sot ka dashur që të na thotë rujuni prej njerëzve që ju pandehin, që ju hedhin në gjyqe. Keni kujdes, do t’ju persekutojnë, do t’ju vrasin, do t’ju thonë të gjitha të zezat vetëm për një qëllim të vetëm, vetëm për mua. Jemi në kohën e Krishtlindjes, është koha e paqes, e dashurisë, e dritës, është Krishti, qendra e jetës sonë. Shën Shtjefni e thotë o Zot, mos jua merr për mëkat, edhe ne sot lutemi për të gjithë ata që na urrejnë, na fyejnë, për gjithë ata që ndoshta nuk na duan as të mirën. Pse jemi njerëz të paqes, lajmëtarë të paqes. Ndoshta në këtë shesh këtu i lumi Vinçens Prenushi ngriti flamurin për t’i treguar botës se jeta dhe e vërteta sundon.
Është ky i lumi Vinçens Prenushi që nuk diti të thotë një fjalë të keqe dhe nën këto shembuj duhet të gjejmë pikën e bashkimit, pikën e unitetit, pikën e asaj që ne na bashkon lutja. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Edhe Papa Françesku na mëson dhe na thotë keni kujdes nga djajtë e edukuar, djajtë që janë me edukatë, janë shumë tinzar, janë të pabesë. Atëherë ne duhet t’i japim një rëndësi të veçantë këtij bashkimi për familjet tona, për kombin tonë, për marrëdhëniet tona, për dëshmitë që Zoti neva na kërkon. Duke u lutur në këto gërmadha padyshim shkon edhe tek historia.
Më kujtohen fjalët e një nëne kur ishte lufta e Rrethimit të Shkodrës, lufta e fundit nën sundimin otoman. Një fëmijë qante, donte ujë, në kala nuk kishte ujë e nana i tha ndërsa unë po qaj biro pi ujë tek lotët e mi sepse Zoti don me na tregu që sot ka ardhur në mesin tonë. Ai ujë është uji i jetës, uji i së ardhmes, ai ujë është Krishti. E nepërmjet këtij Krisht ne duhet t’i tregojmë botës që jemi fitimtarë.
Duke bashkuar lutjen me gjithsecilin prej jush këtu, për ju, për familjet, për kombin, të ofrojmë këto lutje që populli jonë shqiptar të ketë paqe, të ketë harmoni, të ketë bekimin e Zotit dhe ndërsa ne lutemi kujtojmë atë thënien e Shën Palit, i cili thotë që të dashtunit e mi se dashuria është sa e gjërë edhe e gjatë por mos harroni sa herë luteni, sa herë që të bashkoheni bëni këtë në përkujtimin tim”.