Federata Shqiptare e Futbollit e nis me humbje Europianin e Francës, ende pa luajtur ndeshjen e parë në këtë aktivitet. Bëhet fjalë për humbje financiare, ku kostove të përgatitjeve në Austri e Itali, si dhe të akomodimit në “Piros Girek”, u është shtuar së fundmi edhe dëmi ekonomik që vjen nga tregu shqiptar.
“Kemi një shqetësim shumë të madh që vjen nga tregu ynë. Bëhet fjalë për produktin më të kërkuar në këtë moment, shitjen e bluzave të falsifikuara të kombëtares me çmim më të lirë. Vlera ekonomike e dëmit të shkaktuar shkon 1.3 mln euro”, tha Gazmend Malo, drejtori i Marketingut në FSHF. Sipas drejtorit Malo, Federata, në bashkëpunim me institucionet shqiptare, ka marrë të gjitha masat e duhura për të parandaluar hyrjen në Shqipëri dhe më pas sekuestrimin e mallrave të falsifikuar të kombëtares shqiptare, që janë në tregun tonë.