Favoret seksuale, Krimet e Rënda 2 vite burg për ish-gjyqtarin Çobo

Dy vite burg i konvertuar në 18 muaj shërbim prove është dënimi i krimeve të rënda për gjyqtarin e Beratit Shyqyri Çobo me akuzën e korrupsionit pasiv. Vetë Çobo i pranishëm gjatë seancës ku u shpall vendimi ndaj tij deklaroi para gjykatës se ai do t’i shkojë deri në fund kërkesës për pafajësi. Por cili ishte qëndrimi i Çobos para se gjykata ta dënonte? “Asnjëherë se kam takuar jashtë ambienteve të gjykatës shtetasen I.T., e cila më ka kallëzuar për ngacmim seksual, asnjëherë se kam prekur apo puthur dhe pse i kam patur disa herë mundësit, por kjo akuzë ndaj meje është një montim i personave që duan të më denigrojnë figurën time që prej 30 vitesh shërbej në sistemin e drejtësisë”, u shpreh ai. Shyqyri Çobo u kallëzua në policinë e Beratit nga shtetësja I.T., në vitin 2015 ndërsa pas shumë muajve hetime ai u mor i pandehur me akuzën e korrupsionit pasiv të funksionarëve të drejtësisë. Me konvertimin e dënimit në shërbim prove me 18 muaj Çobo s’do të kryejë asnjë ditë burg, ndonëse prokuroria kërkoi ndaj tij dënimin me 3 vite. Një tjetër masë rënduese ndaj Çobos ishte dhe heqja e të drejtës për të ushtruar funksione publike gjatë 5 viteve . Nga hetimet e akuzës rezultoi se Çobo i kish dërguar shtetases I.T. mbi 300 mesazhe me përmbajtje filozofike dhe komplimentuese, ndërsa këtë shifër të lartë në gjykatë Çobo e argumentoi me faktin se ai vuan nga veshët dhe s’mund të flas gjatë në telefon ndaj shkëmbente sms me I.T., të cilës i gjykonte dhe një proces në gjykatën e Beratit.

Artikulli paraprakSTAR SPORT – 09.01.2017
Artikulli tjetërNËSE LUFTA NDODH, SUEDIA E FRIKËSUAR MERR MASA MBROJTËSE