Kishte dyshime nëse do të zhvillohej jashtë Shkodrës apo jo faza përgatitore e ekipit të Vllaznisë, por administratori i këtij klubi, Neritan Kalamishi, ka bërë të ditur se ajo do të zhvillohet diku jashtë vendit, por pa saktësuar vendin se ku. Njeriu që firmos për gjithçka në këtë klub, po ashtu i është përgjigjur edhe njëherë pyetjes, nëse ekziston mundësia që skuadra të shkojë për stërvitje në Zllatibor të Serbisë.
Ndërkohë, burime pranë këtij klubi saktësojnë se pistat e mundshme janë dy: pikërisht në Mal të Zi, në qytetet e Nikshiqit dhe Cetinjës, qytete këto që ofrojnë klimë të freskët, të përshtatshme për stërvitje me ngarkesa të larta fizike. Kuqeblutë mendohet të udhëtojnë drejt Malit të Zi në ditët e para të gushtit dhe do të qëndrojnë atje për një periudhë 10-12 ditore.