ATO NUK DO TË PUNËSOHEN AUTOMATIKISHT, POR DO TË INTERVISTOHEN.Mësuesit, që u vlerësuan me pikë të larta në provimin kombëtar, të zhvilluar në fillim të dhjetorit, nuk do të punësohen automatikisht në një prej vendeve vakante, të shpallura nga Ministria e Arsimit.

Kjo, pasi të gjithë aplikantët e rinj për arsimtarë, përveç provimit me shkrim, do të duhet të kalojnë me sukses një tjetër fazë, për të firmosur kontratën si mësues në një prej shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në një prej qyteteve apo fshatrave të vendit. Bëhet fjalë për një test të dytë, që do të jetë intervista me gojë, rezultatet e së cilës do të vendosin përfundimisht emërimin ose jo të një mësuesi. Burime në Ministrinë e Arsimit bëjnë me dije për gazetën “Shqip”, se tanimë janë lajmëruar mbi 1800 mësuesit e parë, ata të cilët janë shpallur fitues në fazën e parë të aplikimit, pas rezultateve të larta të arritura në provimin kombëtar, të zhvilluar këtë vit, për të parën herë në fushën e arsimit. Por, nga ana tjetër, u është komunikuar se për t’u punësuar në një prej vendeve të shpallura vakante, pas shkarkimit të mbi 2000 mësuesve, që deri më tani kanë dhënë mësim jashtë profilit, apo që kanë punuar duke mos pasur arsimin përkatës, që në mes të muajit janar do të testohen me gojë. Siç edhe u premtua nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, procesi i punësimeve të reja në arsim do të jetë tejet serioz, çka vërtetohet nga tri “filtrat”, ku po kalojnë njohuritë e tyre: Faza e parë, shqyrtimi i dosjeve të aplikantëve; faza e dytë, testimi kombëtar me shkrim dhe faza e tretë, intervista me gojë.

Artikulli paraprakZHVILLOHET KUPA “SKENDER BILALI”
Artikulli tjetërPËRFSHIHET NGA FLAKËT TRAGETI ITALIAN