Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, shprehu shqetësimin e tij në lidhje me mundësinë e dhunës në protesta dhe tubime, në ditët përpara inaugurimit të presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
Wray tha se agjencia po ndjek një “sasi të gjerë bisedash në internet”, që bëjnë thirrje për protesta të armatosura. Wray tha se janë duke u analizuar komunikimet, në lidhje me potencialin e tyre të kërcënimit, si dhe për të “dalluar atë që është frymëzuese kundrejt asaj që është e qëllimshme”.
Wray i bëri komentet gjatë një takimi për sigurinë me nënpresidentin amerikan, Mike Pence. Kjo ishte paraqitja e tij e parë publike që nga trazirat në Kongres, javën e kaluar.
“Jemi të shqetësuar për potencialin e dhunës në protesta dhe tubime të shumta, të planifikuara këtu në Uashington dhe në ndërtesat e Kongresit në të gjithë vendin”, tha Wray.
Ai vuri në dukje se më shumë se 200 njerëz të dyshuar për planifikimin e ngjarjeve, sikurse javën e kaluar në Kongres, janë identifikuar dhe paralajmëroi se kushdo që planifikon veprime të dhunshme në ditët e ardhshme, mund të presë vizitë nga FBI.
“Po shohim individë që mund të jenë duke planifikuar llojin e dhunës që kemi parë javën e kaluar”, tha Wray.
Mbështetësit e presidentit Donald Trump kanë sulmuar Kongresin më 6 janar, për ta penguar atë nga certifikimi i fitores së Bidenit në zgjedhjet e nëntorit. Dhuna ka bërë që ligjvënësit të largoheshin për një kohë dhe ka lënë të vdekur pesë persona, përfshirë një oficer policie.
Pak para rrethimit, Trump ka mbledhur turma mbështetësish pranë Shtëpisë së Bardhë. Ai ka përsëritur para tyre pretendimet e pabaza se i ka fituar zgjedhjet dhe i ka inkurajuar besnikët që të “luftojnë si ferr” kundër rezultatit të zgjedhjeve.
Dhuna ka bërë që Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së të votojë për shkarkimin e Trumpit, nën akuzat se ka “nxitur kryengritje”.
Udhëheqësit e Dhomës e kanë dërguar pastaj artikullin e fajësimit të Trumpit në Senat, por Senati nuk ka seancë deri më 19 janar. Gjyqi në Senat mund të fillojë të nesërmen, që do të thotë se do të nisë menjëherë pasi Biden të marrë detyrën.
“Senatit i mungon autoriteti kushtetues për të kryer procedime të fajësimit kundër një ish-presidenti”, tha senatori Tom Cotton, republikan nga Arkansasi.
Demokratët thonë se procedura është e vlefshme, marrë shembull gjyqet e zyrtarëve federalë të nivelit më të ulët, pasi ata kanë lënë detyrën. Ata gjithashtu thonë se Senati duhet ta mbajë gjyqin dhe ta dënojë Trumpin – gjë që do ta ndalonte atë të udhëhiqte ndonjë zyrë në të ardhmen.
Dënimi nga Senati kërkon dy të tretat e votave dhe deri më tani vetëm disa republikanë kanë thënë se do të votojnë pro.