Felaj: Ligj i përbashkët për 7 shërbimet informative
TIRANE – Të gjithë shërbimet e inteligjencës që operojnë në vendin tonë do të funksionojnë sipas të njëjtave rregulla. Qeveria po përgatit një ligj të përbashkët për 7 shërbimet informative, të cilat kanë të drejtën e përgjimeve dhe mbledhjes së informacionit, qofshin ato të sigurisë apo financiare. Ministrja për Marrëdhënien me Parlamentin, Ermonela Felaj konfirmon për Report.tv se një grup pune nën asistencën gjermane por harton rregullat e funksionimit të Agjencisë Inteligjente të Mbrojtjes, Shërbimit Informativ Shtetëror, të Drejtorisë së Pastrimit të Parave, të Agjencisë së Inteligjencës Financiare, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Për disa prej këtyre shërbimeve ka ligje të veçanta që jo rrallë shkaktojë dublime kompetencash dhe konfuzion koordinimi. “Ka një grup pune të ngritur i cili prej kohësh , me asistencën e ekspertëve gjermanë po punon për mundësinë e futjes në një kornizë të përbashkët ligjore të gjitha institucionet e sigurisë. Besoj që ndoshta kjo do të ishte rruga më e mirë, e para për vetë natyrën delikate që kanë këto institucione. E dyta sepse këto institucione në përgjithësi kanë pasur dhe një histori me famë jo shumë të mirë.”- deklaroi ministrja Felaj. Nga ana tjetër prej disa vitesh edhe Komisioni i Sigurisë kishte në variant të tijin për kontrollin e shërbimeve inteligjente, nëpërmjet një nënkomisioni. Por mesa duket varianti i qeverisë do të jetë ai finali. Një ditë më parë kreu i komisionit të sigurisë Spartak Braho akuzoi SHISH për mosbindje dhe përgjime abuzive.