Dy javë më parë ndër lajmet kryesore në Itali ishte shpërthimi i vullkanit Etna (Siçili). Por fundi i muajit Gusht e ka gjetur lartësinë pranë kraterit dhe rrethinat e malit të ‘veshura’ me vello të bardhë.
Dimri papritmas, e cilëson “La Repubblica” eventin natyror të rrallë, të shoqëruar edhe me një video.
Në mbrëmjen e 27 Gushtit, temperaturat në Etna ranë dhe një stuhi e dendur breshëri në formë dëbore e shndërroi majën e vullkanit në një peizazh gati magjik dhe fantastiko-shkencor.
“Dëbora e parë në Etna”, shkruan autori i videos, Matteo (teo_appio), një pilot që filmoi me avionin e tij në Instagram spektaklin e kratereve të zbardhura.
“Nga rrjedhat ende të nxehta të humnerës, duke kaluar nga krateri i Veriut në kraterin Juglindor”, lexohet më tej në përshkrimin e videos.
Shumë në rrjetet sociale kanë folur për “borë në Etna”. Realisht, sipas meteorologëve, është breshër. Shumë ftohtë në lartësi dhe vapë mbytëse në qytet.
Në Katania, në fakt, në të njëjtat orë, temperatura arriti në 30 gradë me një nivel shumë të lartë lagështie. Një kontrast klimatik befasues, por jo i ri për ata që jetojnë në shpatet e vullkanit më të lartë aktiv në Europë.