Tregu i huaj po ‘rrëmben’, muaj pas muaji mijëra ton produkte ushqimore të prodhuara në Shqipëri. Më shumë se një e treta e eksporteve të vendit për grupin e produkteve ushqimore, zihet nga zarzavatet.
Të dhënat e INSTAT, tregojnë se sytë e fermerëve tashmë janë të orientuar drejt tregut të huaj pasi iu sjell më shumë të ardhura, për shkak se produktet i shesin më shtrenjtë jashtë sesa në tregjet vendase.
Sipas përllogaritjeve bazuar në të dhënat e INSTAT, në 10 muaj të këtij viti vendi ka eksportuar mbi 131 mijë tonë zarzavate, nga 325 mijë tonë produkte ushqimore që u eksportuan në total. Ndërsa në vitin e kaluar u eksportuan jashtë vendit 125 mijë tonë. Në total vlera e eksporteve të zarzavateve të papërpunuar në këtë 10 mujor ishte 10.9 miliardë lekë (107.5 mln euro), nga 9.6 miliardë lekë që ishte vjet.
Nga këto të dhëna rezulton se 1 kg zarzavateve e eksportuar në vitin e kaluar kushtonte 77 lekë/kg, ndërsa këtë vit është rritur në 83.13 lekë
Teksa pesha e eksporteve është rritur, ajo e importeve është ulur. Këtë 10 mujor janë importuar 35 mijë tonë zarzavate nga 36.1 mijë që ishte pesha vjet. E përkthyer në vlerë monetare, importet nga 2.7 miliardë lekë që ishin në 2.4 miliardë lekë këtë vit. Çmimi i importit ishte 75.8 lekë për kilogramë, dhe është ulur këtë vit duke u përllogaritur në 68.2 lekë.
Çmimi i produkteve të importuara, është në rënie edhe për shkak të zhvlerësimit të euros e dollarit përkundrejt lekut, por pavarësisht këtij fakti, konsumatorët, nuk po përfitojnë sepse shtrenjtimi në tregje nuk po ndalet.