Si sot 136 vite më parë në qytetin e Korçës u hap Mësonjëtorja e Parë Shqipe, një ngjarje me rëndësi madhore në përpjekjet e popullit shqiptar për të krijuar shkollën e vet kombëtare.

Në këtë ditë ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka uruar mësuesit të cilët me misionin e tyre edukojnë fëmijët, mbjellin ëndrra dhe i frymëzojnë ata çdo ditë.

‘Gëzuar 7 Marsin dhe mirënjohje për ju të dashur mësues! Ju me misionin tuaj edukoni fëmijët tanë, mbillni ëndrra dhe i frymëzoni ata çdo ditë! Kjo video u realizua me kontributin e veçantë të nxënësve nga Instituti i Nxënësve që Nuk Shikojnë, Instituti i Nxënësve që Nuk Dëgjojnë, Shkolla Artistike “Jan Kukuzeli” Durrës, Shkolla e Baletit dhe Gjimnazi “Qemal Stafa” Tiranë.’- shkruan ministrja Kushi.

Edhe pse në kushte të vështira, kur mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman ishte rreptësisht i ndaluar, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 20 vjet.

Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin, dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dijen në popull.

Me ato mundësi që kishin ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara. Ata i përkushtuan një rëndësi te madhe pajisjes me mjetet e duhura të mësimdhënies, për të bërë më tej dhe shpërndarjen e tyre te nxënësit e tyre. Të edukuar me frymën e lartë të patriotizmit këta nxënës do të bëheshin në të ardhmen pasuesit e denjë të ideologjisë së mësuesve të tyre dhe luftëtarë të devotshem ne luftën për liri dhe pavarësi.

Kështu dita e 7 Marsit, është kthyer në një festë për mësuesit dhe arsimtarët dhe festohet në të gjitha shkollat e vendit me aktivitete të shumta në shenjë falënderimi për mësuesit për punën që kryejnë në edukimin e brezit të ri.

Artikulli paraprakDO TË JENI GATI PËR TË ECUR PËRPARA… HOROSKOPI PËR DITËN E SOTME
Artikulli tjetërKOMERCIALIZIMI I 7 MARSIT, NGA LULET DERI TEK UDHËTIMET, DHURATAT E PRINDËRVE SHQIPTARË PËR MËSUESIT E FËMIJËVE