SELIA BLU NË SHKODËR, URON MËSUESIT, DENONCON EMËRIMET DHE SHKARKIMET NË ARSIM.
BENARDETA SYKU – ZËDHËNËSE PD
DEKLARATË PËR SHTYP E PARTISË DEMOKRATIKE SHKODËR
Partia Demokratike e Shkodrës ju uron Ju mësuese dhe mësues të Shkodrës: Gëzuar 7 Marsin! Është një ditë reflektimi për të gjithë ata që kanë në dorë fatet e arsimit në vendin tonë, i cili në këtë ditë të shënuar për mësuesit, i gjen këta të fundit në një situatë presioni politik. Në arsimin e “Gjeneratës tjetër”, vazhdon e ashtuquajtura reformë, por kjo tani është e militantizmit partiak. Në prag të zgjedhjeve lokale, DAR Shkodër luan rolin e rekrutuesit të militantëve të Partisë, për të përmbushur kriteret partiake dhe duke shkelur në mënyrë flagrante Ligjin për Arsimin Parauniversitar dhe Udhëzimeve të nxjerra nga MAS-i i kësaj qeverie. Janë emëruar studentë të stazhit 1-vjeçar, si mësues provizorë apo definitivë edhe në shkollat ku ato kryejnë këtë praktikë profesionale (kjo do të thotë që edhe do të jetë në vlerësim nga mentori përkatës, edhe do të punojë si mësues). Emërimet pa kriter të mësuesve definitivë në shkollat brenda qytetit dhe jashtë tij, të cilët nuk kanë dhënë akoma provimin e shtetit dhe nuk janë çertifikuar si mësues. Në mos zbardhjen e asnjë vendimi të emërimeve definitive apo e lëvizjeve paralele në përputhje me Ligjin për Arsimin Parauniversitar dhe me Udhëzimin Nr. 57, datë. 12.11.2013, të firmosur nga vetë Ministria e Arsimit. Në emërimet e drejtuesve dhe mësuesve pa asnjë kriter, nuk kanë asnjë rëndësi, dhe në mënyrë rastësore, janë fitues gjithmonë aktivistë apo anëtarë të PS-së. Kjo vlen edhe për zgjedhjet në Bordet e Shkollave, ku janë shkelur plotësisht proçedurat. Në shkollat e Rrethit Shkodër, prindërit nuk kanë qënë fare pjesë e proçesit zgjedhor. Anëtarët e Bordit, janë emëruar nga Drejtoria Arsimore Rajonale. Ndërsa takimet me Bordin, janë bërë pa praninë e përfaqësuesve të pushtetit vendor. Edhe pse Ligji i detyron, nuk është bërë zbardhja e vendimeve për emërimet e kryera. Arsimi është i të gjithëve, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo indirekte, secili prej nesh është i lidhur me arsimin, i ka besuar fëmijën, nipin, mbesën, atyre që duhet të jenë të përkushtuar ndaj punës, që dashurojnë profesionin, që i shërbejnë dijes dhe jo të njerëzve që janë militantë të PS-së, joshen për të qënë të tillë apo janë pranë bajraqeve të PS-së, apo të personave që përfitojnë nga këto emërime. E gjitha kjo, për të vënë në trysni të vendit të punës, të presionit të provimit, të pasigurisë për të nesërmen, të atyre që vendin e punës e kanë të merituar dhe të vlerësuar, dhe që vazhdojnë me përkushtim atë profesion të nderuar të mësuesit.
Bashkëqytetarë! Arsimi është e ardhmja e fëmijëve tanë, është çfarë do të jetë shoqëria jonë nesër.
[iframe width=”100%” height=”315″ src=”https://www.youtube.com/embed/wzIOr4ho8rw” frameborder=”0″ allowfullscreen ]