Pas 30 ditëve sakrifice, lutje dhe adhurimi ndaj Zotit në muajin e Ramazanit, është koha për shpërblim! E premtja e këtij 17 korriku është festë për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë dhe në mbarë botën – kremtohet Fiter Bajrami.   Kjo festë e shenjtë përmbyll muajin e Ramazanit (një nga 5 shtyllat e Islamit) me faljen e namazit të Bajramit, ku të gjithë besimtarët lidhen mes njëri-tjetrit në lutje e falënderime ndaj Allahut.

Në Tiranë, me mijëra besimtarë iu bashkuan faljes së madhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në orën 06:06, si çdo vit organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Begati dhe paqe për Shqipërinë. Këtë urim përcolli kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Skënder Bruçaj pasi drejtoi faljen e namazit. Shpresoj,- theksoi ai, – që Zoti t’i ketë pranuar adhurimet dhe sakrificën në muajin e Shenjtë të Ramazanit.. Pas atmosferës së ngrohtë festive mes vëllezërve myslimanë, siç konsiderohen mes njëri-tjetrit besimtarët, gëzimi i kësaj dite vijon me shtrimin e tryezës së Fiter Bajramit dhe pasdite me urimet për mirësi e begati në familjet e të afërmve dhe miqve.

Artikulli paraprakFESTA E FITER BAJRAMIT, MESAZHE URIMI NË BUSHAT
Artikulli tjetërPOLICIA E SHKODRËS, VIJONË OPERACIONET ANTI KANABIS