28 nëntori, 103-vjetori i shpalljes së pavarësisë është shoqëruar me radhë dhe disa vonesa në pikat kufitare. Një prej tyre është edhe pika kufitare e Muriqanit.
Dita e festës është ndjerë jo pak edhe në lëvizjet që bëhen në të dy anët e kufirit ku ka shqiptar. Në ditën e sotme janë krijuar radhë duke bërë që shoferët të presin. Edhe pse është punuar me kapacitete maksimale në doganën e përbashkët të Muriqanit mes Shqipërisë dhe Malit të Zi sërish ka qenë e pamundur që të ketë një efektivitet aq të madh në eleminimin e radhëve të mjeteve motorike. Përveç ditës së festës së flamurit për të gjithë shqiptarët kudo që janë, në këto ditë ku fluksi i lëvizjeve është më i madh se zakonisht, policitë kufitare qoftë të Shqipërisë por edhe të Malit të Zi ushtrojnë kontrolle të rrepta kjo edhe në kuadër të masave që janë marrë për sigurinë kombëtare kundër akteve të mundshme terroriste. Të gjitha këto kanë bërë që në doganën e Muriqanit të ketë varg makinash që nuk kanë mundur të kalojnë aq shpejt.