Tifozët e Vllaznisë festuan në qendër të qytetit fitimin e Kupës së Shqipërisë nga ekipi kuqeblu. Tifozët shpërthyen në brohorima sapo autobuzi me lojtarët dhe stafin e Vllaznisë mbërriti në sheshin pranë bashkisë Shkodër.

Trajneri i Vllaznisë Mirel Josa i cili bashkë me fitimin e Kupës festoi edhe ditëlindjen e tij të 59-të thotë se është më i lumtur për Kupën se sa për ditëlindjen.

Mevlan Adili, futbollisti që doli nga hija e ndeshjeve të fundit duke shënuar golin e fitores në takimin e tij të fundit me fanelën kuqeblu thotë se nga Shkodra mori shumë dhe largohet me mbresat më të mira.

Pas 8 vitesh, një prej lojtarëve kryesor që u rrit në radhët e akademisë, Ardit Krymi do t’i japë lamtumirën Shkodrës sepse karriera e tij do vijojë në Bjellorusi. Ky largim nuk është aspak i lehtë për Krymin nga qyteti i lindjes.

Presidenti Alban Xhaferri shprehet se për Vllazninë tani nis puna më e vështirë sepse pjesëmarrja në Kupat e Europës është një sfidë ndërsa një mbështetje të plotë dha edhe kryetari i bashkisë Shkodër Bardh Spahia.

Tifozët, nga fëmijët e deri tek të rriturit festuan ndërsa thonë se Vllaznia për ta është gjithçka.

Ajo që mungon është titulli kampion sepse kanë kaluar 21 vite pa e fituar dhe sezonin e ardhshëm tifozët kërkojnë këtë trofe.

Festa e tifozëve zgjati deri në orët e vona bashkë me lojtarët që iu gëzuan fitimit të Kupës nga Vllaznia.

 

Artikulli paraprakKUPA, TIFOZËT SHIJUAN FINALEN NË PEDONALE: EMOCION I MADH
Artikulli tjetërMINISTRJA XHAÇKA URON “1 QERSHORIN”: E SOTMJA ËSHTË DITË PËR TË KUJTUAR PSE DUHET TË LUFTOJMË PËR NJË BOTË MË TË MIRË