Festat e fundvitit ashtu si gjithmonë në qytetin e Shkodrës edhe këtë vit nuk mund të shmangnin krijimin e një trafiku tejet të rënduar në rrugët kryesore të qytetit. Në fakt kjo situatë në Shkodër, me trafik të rënduar ka nisur që me 24 dhjetor, festën e krishtlindjeve e vijon ende sot në prag të natës së ndërrimit të viteve.
Edhe pse policia rrugore në kuadër të pkanit të masave që nis që me kontrollet e shumta në terren, shtimin e forcave të policisë apo edhe një vëmendje më të madhe në tërësi , ka qenë e pamundur për t’ia dalë për shkak të një numri shumëfish më të madh të mjeteve motorike. Dalja për të blerë në treg për festat, vizitat tek njëri tjetri apo edhe drekat e darkat festive bashkë me parapërgatitjet për natën e ndërrimit të viteve kanë bërë që trafiku të jetë më i dendur se zakonisht duke sjellë edhe vështirësi në lëvizje. Një ndikimin në bllokimin për pak minuta në rrugët kryesore të makinave apo edhe rëndimin e trafikut ka patjetër edhe ardhja e emigrantëve ashtu si zakonisht për të qenë pranë familjeve e të afërmve të tyre natën e vitit të ri. Nga ana tjetër edhe hyrja drejt Shkodrës nga pikat e kalimit kufitar në Muriqan dhe Hanin e Hotit kanë bërë që të kemi një trafik jo të zakonshëm në qytetin e Shkodrës. Gjithsesi shoferët çdo herë duhet të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor sepse në të kundërt policia rrugore nuk do kursehet me masat administrative ndaj tyre pavarësisht se jemi në festë.