Ardhja e emigrantëve në Shqipëri me rastin e festave të fundvitit ka forcuar ndjeshëm lekun shqiptar dhe ka zhvlerësuar monedhën europiane. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë një euro po këmbehet me 132.9 lekë një nivel ky ndër më të ulëtit që prej gushtit. Monedha evropiane ka pësuar një zhvlerësim edhe në tregjet ndërkombëtare.
Sipas ekspertëve Monedha Evropiane nuk do të prekë më nivelin e 140 lekëve. Aktualisht një euro shkëmbehet me 132 lekë çka vlerësohet si më e ulta ndër 10 vitet e fundit. Ndryshimi i menjëhershëm i vlerës së euros ndaj lekut në Shqipëri ka ndodhur në 2011 kur euro arrit në 140 lekë nga 123 që ishte në 2009.
Një euro e dobët ndaj lekut ka efekteve pozitive për kredimarrësit në euro si dhe mund të sjellë uljen e çmimeve për konsumatorët pasi pjesa më e madhe e produkteve blihen në tregjet evropiane. Megjithatë një euro e dobët ndaj monedhës kombëtare sjellë pasoja negative për ekonominë pasi godet eksportet në një kohë që Shqipëria eksporton rreth 70 të totalit të prodhimeve në Evropë.
Po ashtu ditët e fundit të vitit 2017 edhe Dollari është zhvlerësuar ndjeshëm ndaj lekut shqiptar duke arritur nivelin e 111 lekëve ndërsa vijon zhvlerësimin. Monedha e gjelbër shënoi nivelin më të ulët në fillim të shtatorit kur u këmbye me 110 lekë.