FIFA gjobë e paralajmërim FSHF Shqipëri-Izrael luhet me tifozë
Ndeshja Shqipëri-Izrael e vlefshme për kualifikueset e Botërorit do të luhet normalisht me praninë e tifozëve. Fifa ka gjobitur dhe paralajmëruar FSHF-në për incidentet e tifozëve në ndeshjet ndaj Lihtenshtejnit dhe Spanjës por lajmi i mirë është që nuk janë dënuar tifozët të cilët do të jenë të pranishëm në “Loro Boriçi” në një nga ndeshjet më të rëndësishme të kualifikueseve të “Rusi 2018”. Komisioni i Disiplinës në Fifa ka gjobitur Shqipërinë me 50 mijë franga për sjelljen e tifozëve në ndeshjet me Lihtenshtejnin dhe Spanjën. Fifa e ka përcaktuar si jo korrekte sjelljen e tifozëve në këto dy ndeshje dhe ka evidentuar për më shumë hedhjen e flakadanëve apo fishekzjarreve. Po ashtu përveç gjobës FSHF ka marrë edhe paralajmërim se mund të dënohet më ashpër.Sjellja e tifozëve në ndeshjet e Kombëtares është kthyer në një problem pasi për të treja ndeshjet që ka zhvilluar Shqipëria Fshf është gjobitur. Zyrtarë të Federatës i trembeshin një dënimi të tifozëve dhe që ndeshja me Izraelin të luhej pa tifozë por fatmirësisht vendimi i Fifa-s ishte më i butë. Gjithsesi nëse vijohet me këtë sjellje të tifozëve edhe në ndeshjet e tjera dënimi do të jetë i pashmangshëm.