FIFA ka nisur hetimin për mënyrën e festimit të golave nga ana e dy futbollistëve shqiptarë të Zvicrës, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri.

 

Përmes një deklarate, FIFA thotë se komiteti disiplinor ka nisur hetimet ndaj tyre, duke shtuar se: “Në lidhje me të njëjtën ndeshje, kanë nisur procedime disiplinore edhe ndaj Federatës Serbe të Futbollit, për shfaqjen e mesazheve politike dhe fyese nga tifozët serbë.

 

Për më tepër, është hapur edhe një hetim paraprak kundër trajnerit të ekipit kombëtar të Serbisë, Mladen Krstajiç, për deklaratat e dyshimta që ka bërë pas ndeshjes”.

 

Të shtunën, trajneri Krstajiç bëri komente negative për arbitrin Felix Brych, duke thënë: “Atij nuk do t’i jepja as karton të verdhë apo të kuq, do ta dërgoja në Hagë. Aty mund ta burgosnin, sikurse bënë me ne”.

 

Pas fitores 2 me 1 të Zvicrës me Serbinë, Xhaka dhe Shaqiri festuan duke bërë simbolin e shqiponjës. Të dy u kritikuan nga Serbia, ndërsa vet Shaqiri tha se ishte një emocion i momentit dhe jo mesazh politik.

 

Babai i Granit Xhakës kaloi 3 vite e gjysmë në një burg në ish-Jugosllavi si i burgosur politik para se të emigronte në Zvicër. Ndërsa Xhardan Shaqiri lindi në ish-Jugosllavi dhe u detyrua të largohej për shkak të luftës.

Artikulli paraprakCHAMPIONS LEAGUE, VLLAZNIA NJIHET ME KUNDËRSHTARET
Artikulli tjetërSOT MBAHET RAUNDI I RI I BISEDIMEVE KOSOVË – SERBI