Vllaznia nuk mund të qëndrojë asnjëherë e qetë. Të tjera borxhe kanë trokitur në klubin shkodran për t’u shlyer.
Janë afro 30 mijë euro, borxhe të mëparshme për të cilat drejtuesit e klubit Vllaznia do të jenë të detyruar që t’i paguajnë. Kjo mund të bëjë që shkodranët të mos kenë mundësi për të marrë lojtarë në merkato për shkak se do detyrohen të paguajnë borxhin. Ka qenë organi më i lartë i futbollit, FIFA që ka sjellë disa shkresa zyrtare në klubin Vllaznia duke i njohur drejtuesit me detyrimet që kanë ndaj lojtarëve apo ish-zyrtarëve që tashmë nuk janë më pjesë e skuadrës. Në këtë mënyrë burime për “Star Plus” bëjnë me dije se borxhi që shkon në total prej afro 30 mijë duhet paguar për ish-sulmuesin Mohamed Kdouh për të cilin kontrata u prish në mënyrë të njëanshme dhe u largua nga Vllaznia padëshirën e tij.
Në një intervistë për “Star Plus” pak ditë pas largimit përveç se tregoi se në Shkodër ka qëndruar si klandenstin, klubi i detyrohej një shumë të madhe parash që ai pretendonte. Shumë shpejt ka dërguar çështjen në FIFA e cila tashmë deri tani i ka dhënë të drejtë sulmuesit. Nga ana tjetër burime pranë Vllaznisë bëjnë me dije se personi i dytë që klubi shkodran i detyrohet është italiani Davide Belotti.
Në kohën e ish-trajnerit Baldo Raineri dhe komapnisë Gea Sport, Belotti kishte rolin e zëvendëstrajnerit. Italiani nga sa bëhet e ditur nuk është likujduar totalisht duke mos zbatuar kontratën që kishte. Edhe Belotti ashtu si Kdouh apo shumë lojtarë të tjerë më përpara ka dërguar çështjen në FIFA dhe ashtu si pjesa më e madhe ka fituar të drejtën për t’i marrë shumën e parave Vllaznisë për të cilat nuk është paguar.
Megjithatë shuma prej 30 mijë eurove nga ana e drejtuesve të kuqebluve është e ekzagjeruar dhe sipas burimeve pranë klubit do të ketë një ankimim sepse pretendohet se për sulmuesin Kdouh dhe ish-zëvendëstrajnerin Belotti janë më pak para për t’u dhënë. Vitin e kaluar këshilli bashkiak i Shkodrës akordoi 200 milion lekë për të larë borxhe të prapambetura ndërsa kjo histori vazhdon. Nëse Vllaznia nuk i paguan në momentin kur çështjet të marrin formën e prerë atëherë kuqebluve rrezikojnë t’i zbritën pikët në kampionat ashtu siç ka ndodhur para dy sezonesh.