Një furgon policie hyri vrrullshëm mes një turme njerëzish në kryeqytetin e ishujve Filipine, Manila, teksa protesta e tyre përpara ambasadës amerikane degjeneroi në dhunë.
Pamjet televizive tregojnë protestuesit që kishin rrethuar furgonin dhe e godisnin atë me shkopinj gome, të cilët ua kishin marrë agjentëve të policisë. Më pas, furgoni ecën me shpejtësi në mes të turmës duke lënduar disa persona. Në një pikë, mjeti shtyp një grua dhe tërheq trupin e saj zvarrë përgjatë rrugës, derisa frenon dhe ajo përplaset tutje. Disa qindra banorë ishin mbledhur përpara ambasadës për të kërkuar fundin e pranisë ushtarake të Shteteve të Bashkuara në vend, në një kohë kur presidenti Rodrigo Duterte është shprehur kundër marrëdhënieve afatgjata me to. Policia arrestoi 23 persona, të cilët kishin hedhur bojë të kuqe në drejtim të tyre dhe ndaj një pjesëtari të forcave të sigurisë së ambasadës. Ndaj protestuesve u përdor gaz lotësjellës, pasi ata përçanë një kordon të forcave të rendit dhe morën nën kontroll një makinë zjarrfikëse duke hapur pompën e ujit ndaj tyre.