Ditën e hënë, 9 shtator, nis viti i ri shkollor për arsimin fillor, 9-vjeçar dhe parauniveristar. Ndërkohë që gjatë kësaj jave ka nisur edhe shpërndarja e librave falas për nxënësit, nismë kjo e realizuar falë financimit të qeverisë.
Kryeministri Edi Rama ka postuar në rrjetet sociale një video ku jepen sekuencat nga shpërndarja e librave falas si dhe mesazhet e prindërve dhe nxënësve që e konsiderojnë një ndihmesë të rëndësishme direkte.
“MIRËMËNGJES 😊
dhe me mirënjohjen e prindërve dhe gëzimin e fëmijëve që këto ditë të fundit para fillimit të vitit të ri shkollor po marrin librat falas, falë financimit të qeverisë me një mbështetje direkte për familjet, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në rrjetin social.
Këtë vit, mbi 238 mijë nxënës përfitojnë libra falas, falë një buxheti prej mbi 9 milion dollarë të akorduar nga Qeveria.
“Më shumë se 238 mijë nxënësit do të përfitojnë libra falas dhe me buxhetin e këtij viti janë më shumë se 9 milionë dollarë të cilat janë vënë në dispozicion, për të garantuar që nxënësit në sistemin e arsimit bazë të mund të pajisen me tekstet shkollore falas dhe gjithashtu edhe 16 kategori të nxënësve në arsimin e mesëm. Do të jenë nxënës të cilët vijnë nga familje me problematika sociale dhe ekonomike, nxënëse të cilët janë më aftësi ndryshe apo nga pakicat, minoritetet, komuniteti rom egjiptian, të cilët do të kenë mundësi që të përfitojnë nga kjo politikë e mbështetjes me tekste shkollore falas nga shteti”, bëri të ditur pak ditë më parë ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu.
Librat falas i përfitojnë rreth 227 mijë nxënës nga klasa I deri në klasën IX dhe rreth 12500 nxënës nga klasa e dhjetë deri në klasën e dymbëdhjetë që i përkasin kategorive të caktuara të cilët përfitojnë mbështetje për tekstet falas.
Ky program i mbështetjes së librave falas është i fokusuar për nxënësit që vijnë nga familje me problematika sociale dhe ekonomike, si dhe ata që kanë nevojë për mbështetje të veçantë, përfshirë fëmijët me aftësi ndryshe dhe ata nga pakicat dhe minoritetet.