Një medikament i dytë i demencës është vërtetuar se ka funksionuar gjatë një prove klinike, sipas “The Sun UK”. Shkencëtarët thonë se po hyjnë në një epokë të re të trajtimit të Alzheimerit. Provat e një medikamenti të quajtur “Donanemab” treguan se ai frenon dëmtimin e trurit te pacientët me sëmundjen e Alzheimerit. Gjysma e simptomave të pacientëve nuk u përkeqësuan për të paktën një vit dhe ata që merrnin ilaçin kishin mesatarisht 35 % më pak rënie te gjendjes mendore pas 18 muajsh. Ata ishin më të aftë për të zhvilluar biseda, për të menaxhuar paratë ose për të shijuar pasionet e tyre krahasuar me njerëzit që nuk u trajtuan me këtë medikament.
“Donanemab” është ilaçi i dytë i zbuluar që funksionon duke zbërthyer pllakat e dëmshme amiloide që krijohen në tru.
“Pas 20 vjetësh pa ilaçe të reja për Alzheimerin, ne tani kemi dy ilaçe të reja, të zhvilluara në vetëm dymbëdhjetë muaj”, tha Dr. Richard Oakley, drejtor i kërkimit në “Shoqërinë e Alzheimerit”.
“Ky mund të jetë fillimi i fundit të sëmundjes së Alzheimerit”, theksoi ai.
“Kjo provë klinike është një zbulim i vërtetë, ku u demonstrua një ngadalësim i jashtëzakonshëm i rënies se aftësisë njohëse”, tha Dr. Marc Busche i Institutit te Kërkimeve për Demencën në Britaninë e Madhe.
“Unë besoj se kjo terapi ka potencialin për të përmirësuar ndjeshëm jetën e pacientëve dhe familjeve në ditët e sotme”, shtoi ai.
Prova u krye nga prodhuesi amerikan i medikamenteve “Eli Lilly” dhe përfshiu 1736 persona, për të krahasuar progresin e demencës te pacientët me dhe të pa trajtuar me ilaç. Të gjithë ishin të moshës 60 deri në 85 vjeç dhe u diagnostikuan me Alzheimer në fazën e hershme. Studimi zbuloi se personat me simptoma më të lehta përfituan më shumë nga “Donanemabi”, por ata në gjendje më të keqe patën gjithashtu përmirësime. Demenca është shkaku kryesor i vdekjeve në Britanine e Madhe. Rreth 900,000 britanikë vuajnë nga demenca dhe numri i tyre pritet të rritet në një milion deri në vitin 2025. Aktualisht, nuk ka asnjë kurë apo mënyrë për të ngadalësuar sëmundjen fatale, e cila u rrëmben të sëmurëve kujtesën, inteligjencën dhe forcën fizike. Shkencëtarët në Mbretërinë e Bashkuar paralajmërojnë se NHS tani duhet të përgatitet për t’i trajtuar pacientët me ilaçe.