Është zhvilluar sot në Tiranë takimi me përfaqësues të nivelit të lartë në kuadër të përgatitjeve për organizimin finalen e UEFA Europa Conference League, që do të luhet në stadiumin “Air Albania” më 25 maj 2022.

Delegacioni i UEFA-s i përbërë nga Rémi Decouacon, Thomas Perrot e Denis Bastari i shoqëruar nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe përfaqësues të tjerë të Federatës së Futbollit janë pritur sot në takimin e zhvilluar në ambientet e Kryeministrisë nga drejtues të lartë të institucioneve qeverisë qendrore dhe vendore.

Të pranishëm në këtë mbledhje ishin Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi, Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, Constantin von Alvensleben si edhe përfaqësues të tjerë nga Kryeministria, Policia e Shtetit dhe Bashkia Tiranë.

Në mbledhje u diskutua për disa çështje duke nisur që nga çështjet e mobilitetit që kanë të bëjnë me finalen e UEFA Europa Conference League në Tiranë, çështje të kapaciteteve akomoduese aeroportuale, kapacitetet e parkimit të fluturimeve çarter, transportin publik në tërësi përfshirë dhe atë Rinas-Tiranë e anasjelltas si dhe çështje të sigurisë.

Nga Presidenti Duka u konfirmua edhe një herë se të gjitha masat që janë duke u marrë synojnë garantimin e një eventi historik dhe për çdo problematikë kërkoi që autoritetet të japin çdo lloj garancie që ky event që nga momenti i parë e deri në largimin e vizitorit të fundit të jetë ekselent në organizim.

Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi garantoi se qeveria do të vijojë të japë të gjithë mbështetjen dhe marrë përgjegjësitë e saja për organizimin e eventit në nivelin që përfaqëson. Gjithashtu, nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Shtetit, Gledis Nano u konfirmua se pavarësisht se ky event do të sjellë festim dhe promovimin e të gjitha vlerave të vendit tonë, angazhimi do të jetë maksimal për të garantuar rendin dhe sigurinë e çdo qytetari, tifozi e vizitori.

Ndërsa, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, Constantin von Alvensleben gjithashtu shprehu besimin se pavarësisht vështirësive që mund të jenë hasur, do bëhet çdo gjë që nga pikëpamja e mobilitetit ky event të mirëpresë grupet e tifozerive dhe ata që do udhëtojnë drejt Tiranës për të shijuar finalen e parë historike të përmasave të tilla në vendin tonë.

Sakaq, nga grupi i ekspertëve të uefa-s u bë një prezantim i të gjitha hapave të mëtejshëm dhe sfidave që priten në 4 muajt në vijim deri në ditën e finales.

Diskutimet do të vijojnë në nivel teknik ku të gjitha institucionet prezente në këtë takim do të kenë përfaqësuesit e tyre për të koordinuar çdo detaj me ekspertët e UEFA-s.

Artikulli paraprakNJË DITË PARA NDESHJES ME DINAMON, KUKËSI “DRIBLON” COVID-19, TË GJITHË TË NEGATIV
Artikulli tjetërPAS FUNDJAVËS MBI DYFISHOHEN TESTIMET DHE INFEKTIMET E COVID-19. NUMËR I LARTË VDEKJESH NË 24 ORËT E FUNDIT