Bukuritë e rivierës dhe Alpeve shqiptare kanë gjetur jo pak jehonë në mediat prestigjoze ndërkombëtare. Listës së gjatë të artikujve që shtypi francez, ai amerikan apo italian i kanë kushtuar zhvillimit të turizmit shqiptar së fundmi i është shtuar edhe prestigjozja britanike “Financial Times”.
Destinancioni i radhës ka qënë liqeni i Bizës, 85 km larg kryeqytetit, që gjendet në zonën e Shën Gjergjit.
Një foto e liqenit në muzg ka shoqëruar artikullin e prestigjozes “Financial Times”, e cila shkruan se “Shqipëria po përjeton një nga sezonet më të mira turistike, me turistë që u drejtohen jo vetëm plazheve të Adriatikut dhe të Jonit, por edhe turizmit të aventurës në zonat e paprekura malore”.
Lajmin e ka ndarë me ndjekësit e tij në rrjetet sociale ministri i Kulturës Blendi Klosi, i cili thotë se qeveria do të vijojë të mbështesë një politikë fiskale nxitëse për turizmin elitar dhe agroturizmin.
Liqeni dhe shpella e Bizës të cilën “Financial Times” e ka pasqyrur në artikullin e saj përbën një park natyror, që ka statusin e zonës së mbrojtur me një sipërfaqe prej 1.370 hektarë.