Firma private prish kabllin, lë pa drita 30 fshatra në Tiranë dhe vilat qeveritare
Një firmë private ka dëmtuar sot rrjetin elektrik në Tiranë duke lënë pa energji gati 30 fshatra dhe OSHEE-ja ka ngritur ndaj saj një padi. Rreth orës 9.00, firma private B93 dëmtoi kabllin 35 kV të linjës L30-1 Kinostudio – Lanabregas kur po punonte për llogari të ujësjellësit, pranë Fizikës Bërthamore, duke nxjerrë jashtë pune dy nënstacione, atë të Lanabregasit dhe atë të Qafë-Mollës. Si pasojë e këtij dëmtimi mbetën pa energji për rreth 3 orë, rreth 40 mijë banorë të 30 fshatrave te Tiranës, si Lanabregas, Bregas, Linzë, Linzë Deli, Surrel, Priskë, Fushë Farkë, etj, antenat e televizioneve ne Dajt, Vilat Qeveritare në Dajt, etj, si dhe subjekte të private si Teleferiku etj. Kryenxhinieri i Drejtorisë së Tensionit të Lartë për Tiranën, Egert Mema tha për mediat se pas konstatimit të dëmit, OSHEE ka thirrur policinë, për hetimin e ngjarjes dhe mbledhjen e provave. “Ky është rasti i 15 për muajin dhjetor vetëm në Tiranë, pra mesatarisht çdo ditë nga një dëmtim. Kompania ka punuar jashtë rregullave të kushteve teknike, pa marrë azhornimet dhe kodet e rrjetit nga OSHEE. Abonentët po marrin energji nga linjat e tjera unazore”