As këtë vit nuk do të lejohet hedhja e pakontrolluar e lëndëve piroteknike dhe fishekzjarreve të cilat rrezikojnë sigurinë publike kryesisht në natën e ndërrimit të viteve.

Policia e shtetit në një njoftim të saj bën me dije se ka shtuar masat në të gjithë Shqipërinë me qëllim parandalimin e hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarreve ndërsa janë ushtruar disa kontrolle masive në subjektet tregtare duke proceduar penalisht disa persona që janë gjetur duke tregtuar lëndë piroteknike apo fishekzjarre të cilat janë të ndaluara rreptësisht për t’u tregtuar.

Në njoftimin e saj policia e shtetit fton qytetarët që të denoncojnë nëse kanë informacion për raste abuzive duke patur për qëllim që festat e fundvitit të kalojnë pa të plagosur nga fishekzjarret siç ka ndodhur më përpara kur lejohej tregtimi i tyre. Në njoftimin e policisë thuhet:

“Masat e shtuara konsistojnë në rritjen e kontrollit të territorit për zbatimin e kritereve të prodhimit , magazinimit e përdorimit të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve në prag të festës së Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

Strukturat e Policisë në të gjithë vendin, bazuar në ligjet dhe urdhërat përkatës kanë ushtruar kontrolle në vijimësi për këtë qëllim. Si rezultat i kontrolleve të pandërprera , muajt e fundit, janë proceduar penalisht 4 shtetas të cilët tregtonin kapsolla zeus dhe fishekzjarre.

Vetëm javën e fundit në të gjithë Shqipërinë janë kontrolluar 334 subjekte, dyqane të ndryshme, makete apo supermarkete si dhe tregje të shumicës, ku janë konstatuar mallra fishekzjarre apo lëndë piroteknike.

Duke qene se po afron Festa e Krishtlindjeve dhe e Vitit te Ri 2020, me qëllim krijimin e mjedisi të sigurt për qytetarët, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ka kërkuar te gjitha strukturave vendore te policisë zbatimin e disa detyra shtesë për të kontrolluar subjektet e liçensuara neës tregtojnë sipas përcaktimeve ligjore.

Shërbimet e kontrollit të territorit duhet të shtojnë kontrollet sipas zonave që mbulojnë. Strukturat vendore të Policisë duhet të hartojnë dhe zbatojnë plane inspektimi të përbashkëta me Shërbimin e Mbrojtjes nga zjarri dhe Shpëtimin.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast të tregtimit apo përdorimit të fishekzjarrëve dhe lëndëve piroteknike, duke ju garantuar ruajtje të anonimatit dhe reagim të shpejtë e të paanshëm”.

Artikulli paraprakJUBAN, RRUGA ME GROPA E BALTË
Artikulli tjetërPROMOVOHET “VALLET DHE LOJËRAT E MALËSISË”