Lideri i konservatorëve në Greqi, Kyriakos Mitsotakis, e ka mposhtur rivalin e tij të qendrës së majtë, Alexis Tsipras, dhe ka thënë se e ka “mandat të fuqishëm” për të ecur përpara në rrugën e ndryshimeve.

Të dielën, Greqia i ka mbajtur zgjedhjet e dyta parlamentare brenda një muaji. Partia Demokracia e Re e Mitsotakisit ka fituar 40.5 për qind të votave, pothuajse 23 për qind më shumë sesa partia e Tsipras, Syriza. Ai e ka mposhtur Syrizan edhe në maj, mirëpo i ka shpallur zgjedhjet e reja për të fituar shumicën e nevojshme për të qeverisur shtetin vetë.

“Demokracia e Re është sot partia më e fuqishme e qendrës së djathtë në Evropë”, u ka thënë Mitsotakis mbështetësve të vet në Athinë. Mitsotakis njihet për rikthimin e stabilitetit në ekonominë e Greqisë dhe menaxhimin e borxheve. Ndonëse aktualisht shumë grekë vuajnë nga rritja e çmimeve të jetesës, ata kanë votuar për partinë që ka premtuar taksa më të ulëta dhe përmirësim të shëndetit publik.

Partia e Tsiprasit, Syriza, ka humbur edhe më thellë sesa në zgjedhjet e kaluara, duke fituar rreth 18 për qind të votave. Ai i ka hedhur poshtë spekulimet për dorëheqje, duke thënë se një vendim i tillë u takon pjesëtarëve të partisë.

Artikulli paraprakTEMPERATURA DERI NË 31 GRADË CELSIUS, PARASHIKIMI I MOTIT PËR SOT
Artikulli tjetërTË RINJTË IKIN DHE NUK ‘DUAN’ TË PUNOJNË, POPULLSIA E GRUPMOSHËS 15-29 VJEÇ SHËNON NIVELIN MË TË LARTË NGA 2019-A