Ministri i deleguar për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj ka përshëndetur zgjedhjet në Tuz të Malit të Zi dhe shqiptarët për rezultatin historik.

Cakaj shkruan në “Twitter” se Tuzi na dha një mësim se përtej logove, bindjeve politike vetëm të bashkuar mund t’i shërbejmë interesave të shqiptarëve.

“#Tuzi na dha një mësim të vlefshëm se përtej logove, bindjeve politike apo protagonizmit, vetëm të bashkuar mund t’i shërbejmë interesave të shqiptarëve. Urimet më të përzemërta koalicionit “Forumi shqiptar” për rezultatin historik.👐🏻🇦🇱🇲🇪🇪🇺”, shkruan Cakaj.

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve vendore për komunën e plotë të Tuzit në Malësi, që u zhvilluan për herë të parë flasin për një fitore të koalicionit “Malësia na bashkon”.

Koalicioni i tri partive politike shqiptare, fitoi 16 vende në Kuvendin lokal të Tuzit, i cili numëron 32 vende, ndërkaq pasojnë Partia Demokratike Socialiste e presidentit malazez, Milo Gjukanoviç me 10 vende, Partia Boshnjake me 4 vende dhe nga 1 vend Partia social Demokrate dhe Demokratët.

Ky rezultat paraprak e detyron koalicionin e partive politike shqiptare që të bashkëqeverisë me ndonjë parti të spektrit politik malazez ose boshnjak.
Vëzhguesit i vlerësuan zgjedhjet e së dielës në Tuz të Malësisë të qeta, pa incidente dhe demokratike.

Këto zgjedhje u cilësuan si historike nga fakti se për herë të parë pas viti 1957, kur Tuzit i ishte suprimuar vetëqeverisja, rivotohet për Komunë të pavarur të Malësisë.

Komuna e plotë e Tuzit ishte pika programore e të gjitha forcave politike shqiptare në Mal të Zi, të cilat gati tri dekada kërkuan vetëqeverisjen lokale për zonën e Malësisë.

Artikulli paraprakDHUNA NË KAMËZ, ARRESTOHEN 4 PERSONA
Artikulli tjetërSA DO TË JETË JETËGJATËSIA PËR GRATË E BURRAT 10 VITET E ARDHSHME?