Flakët shkrumbojnë dy banesa, dyshohet qëllimisht

Dy banesa janë shkrumbuar nga zjarri në fshatin Podgorie, të Pogradecit duke shkaktuar dëme të shumta materiale, por fatmirësisht nuk janë regjistruar të dëmtuar në njerëz. Ngjarja është regjistruar mëngjesin e së premtes, ku fillimisht zjarri ka nisur në një banesë pronarët e së cilës ndodhen në emigracion, ndërsa më tej flakët kanë përfshirë edhe banesën ngjitur saj. Kanë qenë banorët e shtëpisë së dytë, të cilët duke parë zjarrin kanë ngritur alarmin. Menjëherë fqinjët kanë nisur të shuajnë flakët, ndërkohë që edhe zjarrfikësja ka mbërritur në vendngjarje për të parandaluar që zjarri të përfshinte banesat e tjera përreth. Ndërkaq, vetë vëllai i pronarit të shtëpisë e cila u përfshi e para nga flakët ka hedhur dyshime për një zjarrvënie të qëllimshme, pasi sipas tij banesa nuk kishte energji elektrike duke përjashtuar kështu mundësitë e zjarrit si pasojë e një shkëndije elektrike. Policia ka nisur të hetojë në lidhje me rrethanat dhe shkaqet e zjarrit.

Artikulli paraprakSHQIPTARI I DEHUR NDALOHET 2 VJET T’I JAPË MAKINËS
Artikulli tjetërNË PRAG TË BETIMIT SI PRESIDENT PAPA FRANCESCO URON ILIR METËN