Pas 6 ndeshjesh me rezultate pozitive Vllaznia bie në Vlorë.
Flamurtari fitoi 2-0 ndaj kuqebluve. Me këtë humbje shkodranët lëshojnë vendin e 4 për Luftëtarin, skuadër kjo që fitoi 4-0 me Korabin e vendit të fundit. Nga ana tjetër ky trepikësh ndaj Vllaznisë çliron disi Flamurtarin duke i dhënë më shumë shpresë për mbijetesën në kategorinë Superiore. Ndeshja nis vrullshëm për vendasit.
Është ish-sulmuesi i Vllaznisë Tomislav Bushiç ai i cili realizon golin e avantazhit që në fillim të pjesës së parë. Kuqeblutë janë në disavantazh që në minutën e 7-të. Vllaznia kërkon të barazojë dhe Bakaj tenon pas një kombinimi me Hebaj ndërsa Gurishta në fund të pjesës së parë provon me një goditje por në të dy rastet topi nuk përfundon në rrjetë duke bërë që 45 minutat e para të mbyllen me epërsinë e vlonjatëve. Në fraksionin e dytë të lojës. Edhe pjesa e dytë nis më mirë për Flamurtarin.
Në minutën e 61 Fazlliu i sapo future në fushë merr bukur një top, avancon nga krahët dhe jep një krosim brenda zonës. Aty gjen Alvesh i cili kërcen me kokë mbi të gjithë duke dërguar topin në rrjetë dhe duke shënuar golin e dytë. Vendasit me avantazhin e dy golave e kanë më të thjeshtë për të administruar lojën.
Nga ana e saj Vllaznia përpiqet që të ngushtojë diferencat por në dy momente kuqeblutë janë të pafat sepse topi ndalet nga shtylla e portës kundërshtare. Flamurtari arrin të fitojë 2-0 duke ndalur Vllazninë, ekip ky që bëri një ecuri pozitive për 6 javë me radhë. Pavarësisht kësaj humbjeje lufta për vendin e katërt vazhdon sepse mundësitë janë ende edhe pse Luftëtari është dy pikë larg skuadrës shkodrane