Flasin vëllezërit e autorit të sulmit në Berlin: Të shokuar për ngjarjen

Vëllezërit e Anis Amri, i dyshuari tunizian për sulmin në tregun e krishtlindjeve në Berlin shprehen të shokuar nga veprimet e supozuara të vëllait të tyre. Walid Amri në një intervistë për Sky News Arabia nga Tunizia shprehet: “Në fillim as që e imagjinoja se mund të ishte vëlla im Anis. Ne u shokuam njësoj si me sulmet që ndodhën në Tunizi dhe në Francë. Asnjë qenie njerëzore nuk dëshiron që të ndodhë diçka e tillë”. Vëllezërit thonë se Anis kaloi tre vjet e gjysmë në burg para se të emigrojë nga Italia për në Gjermani, dhe dyshojnë se ai mund të jetë radikalizuar gjatë kohës në burgun italian. Vëllai tjetër i autorit të dyshuar Abdelkader Amri thotë: “Ai hyri në burg me një mentalitet dhe kur doli kishte një tjetër mentalitet, krejtësisht të ndryshëm”. Duke i dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë vëllait tashmë në kërkim nga autoritet gjermane ai shprehet: “Zoti të ndihmoftë në këtë situatë. Babai dhe nëna janë duke qarë, njerëzit kanë lënë punët e tyre që të vijnë dhe të na shohin. Ke shkaktuar një kaos të madh”. Anis Amri është i dyshuar i sulmit që la pas 12 të vdekur në tregun gjerman të krishtlindjeve pas gjetjes së shenjave të gishtërinjve në derën e kamionit që shënoi tragjedinë.

Artikulli paraprakEKZEKUTOHET NJË SHQIPTAR NË PERIFERI TË ATHINËS
Artikulli tjetërI RIU RREH TË FEJUARËN DHE VJEHRRËN