Fleckenstein: Negociatat, vitin tjetër

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein vlerëson zgjedhjet e 25 qershorit si më të mirat të realizuara ndonjëherë dhe shpreh bindjen se Komisioni do të votojë “pro” hapjes së negociatave për Shqiperine, por vetëm në qershorin e 2018. Sipas tij, BE i kishte vënë dy kushte thelbësore Shqipërisë; zgjedhjet, të cilat sipas Flackenstein ishin më të mirat dhe reforma në drejtësi. “Ne kemi një opinion dhe vlerësim shumë pozitiv. Shqipërisë i duhej të punonte fort në këtë drejtim. Nuk ka dyshim që kjo po bëhet dhe ne do të bëjmë çmos që KE të çelë negociatat me vendin tuaj. Për këto arsye, unë jam i bindur se Komisioni do të vendosë për ‘Po’ në qershor të vitit të ardhshëm”, është shprehur Flackenstein gjatë takimit në Tiranë me Kryepralamentarin Ruçi. Po ashtu europarlamentari u takua dhe me Kryetarin e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ku në përfundim të takimit i pyetur se çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të çelur negociatat Flackenstein ishte i qartë në përgjigjen e tij. “Duhet të vazhdojnë siç kanë punuar vitet e fundit”, tha ai. Mesazhet e Brukselit; drejtësia e zgjedhjet, por shtoi hashashin Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian vendosi në fund të vitit të kaluar të mos kishte një raport progresi për vitin 2017 për vendet kandidate nisur dhe nga fakti që ai do ishte një vit elektoral për shumë vende europiane. Por, vendet e BE kishin lënë një dritare të hapur nëse kandidatët realizonin agjendat e tyre. Për Shqipërinë, reforma në drejtësi dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme ishin kryesore. Por pas zgjedhjeve, duket se Brukseli ktheu vëmendjen tek hashashi. “Është e qartë se çfarë lipset që të ndodhë sa u takon pesë prioriteteve, por në veçanti lidhur me gjithë aspektet e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë asgjësimin e kultivimit dhe tregtimit të kanabisit”, deklaronte ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin. “Kam dëgjuar që kaloni reformën kushtetuese në drejtësi dhe do të çelim negociatat. Pastaj kam dëgjuar kaloni vettigun dhe do të çelim negociatat. Pastaj kam dëgjuar, bëni edhe zgjedhjet, pastaj zbatoni edhe Vettingun. Tani po dëgjoj edhe një gjë tjetër shumë interesante për mua, në kuptimin se ku do të dalë kjo; krimi etnik shqiptar”, deklaroi Kryeministri Edi Rama në Top Story-n e 14 shtatorit. E vërteta duket është diku në mes. Ndoshta Kryeministrit në Bruksel a Berlin mund t’ja kenë përmendur hashashin dhe më herët, por në publik zyrtarët e BE risollën betejën kundër drogës vetëm pas përfundimit të zgjedhjeve duke dhënë kështu sërish një mesazh, ndoshta të qartë për Qeverinë, por jo për shqiptarët.

Artikulli paraprakTURISTËT E HASHASHIT, NGA MAJI JANË KAPUR 38 TË HUAJ
Artikulli tjetërVRAU GRUAN, 49 VJEÇARI SHQIPTAR: PËRKUNDËR GJITHÇKAJE, E DOJA