Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian Knut Fleckenstein ka mbërritur në një vizitë surprizë në Tiranë.
Gjatë paradites së sotme, i shoqëruar dhe nga Ambasadorja e BE-së në vendin tonë Romana Vlahutin, ai zhvilloi një takim në Presidencë me Kreun e Shtetit Ilir Meta, takimi i parë ky mes tyre që kur Meta mori detyrën e Presidencës. Zyra për shtyp e Presidentit bën me dije se gjatë takimit me Fleckenstein, Meta ka vënë theksin tek avancimi i reformave për integrimin përmes një konsensusi sa më të gjerë pozitë-opozitë.
“Avancimi i reformave gjithpërfshirëse dhe me konsensus sa më të gjerë mes pozitës dhe opozitës, me qëllim integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe mundësimi i një klime politike mirëbesimi dhe bashkëveprimi të ngushtë është shumë i rëndësishëm në këtë proces” është shprehur Presidenti Meta.
Presidenti i Republikës nënvizoi se një rëndësi madhore ka zbatimi i Reformës në Drejtësi, në veçanti ecuria e procesit të Vettingut, me synim krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja të drejtësisë. Pas takimit në Presidencë, eurodeputeti i është drejtuar Kuvendit për një takim me kryeparlamentarin e ri Gramoz Ruçi.