Fran Dashi, Avokati i Izet Haxhisë ka folur sot për mediat duke dhënë detaje se çfarë do ndodhë tashmë që Izet Haxhia, dëshmitari kyç i vrasjes së Azem Hajdarit mbrëmjen e 12 shtatorit 1998, u ekstradua në Shqipëri.
I dënuar me 25 vite burg si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit, Izet Haxhia u ekstradua nga Turqia në Rinas natën e kaluar.
Ai ka thënë se do kërkojë rihapjen e çështjes pasi Izet Haxhia, ish-truprojë i Sali Berishës është dënuar në mungesë nga gjykata.
“Izeti është shumë i lumtur që pas 20 vitesh kthehet në atdhe. Në gjendje të mirë, me memorie të pastër.
Ju siguroj që shëndeti i tij është i plotë. Ne jemi duke studiuar aktet e para dhe pikësynimi dhe pretendimi jonë është për rihapur dosjen e nga para e pasi gjykimi dhe hetimi ndaj tij për 12 shtatorin, është bërë në mëngesë.”
Gjykata e Shkallës së Parë në vitin 2001 ka deklaruar ikjen e të pandekurit duke caktuar avokat kryesisht. Ne kemi besim të plotë se çështja do shkojë drejt rihapjes.
I pyetur për qelinë ku është akomoduar Izet Haxhia, Fran Dashi tha se ai ndodhet në ambientet e burgut 302 në Tiranë.
“Nuk mendoj se ka rrezik për jetën”, tha Fran Dashi, duke iu përgjigjur shqetësimit të gazetarëve.
“Izet Haxhia nuk ka pasur asnjë kontakt nga familjarët apo të afërmit e tij që prej mbërritjes në atdhe 20 orë më parë.
Mbetet për t’u parë se kur do jetë përballja e parë e Izet Haxhisë me Gjykatën ku do ballafaqohet me dënimin ndaj tij me 25 vite burg.”
Avokati Fran Dashi do t’i drejtohet përmes një kërkese Gjykatës së Tiranës për rihapjen e procesit ndaj Izet Haxhisë.
Nëse gjykata e pranon, shkresa i shkon prokurorisë dhe hetimi nis nga e para. Por nëse kërkesa nga Gjykata rrëzohet, atëherë avokati mbrojtës Fran Dashi ka paralajmëruar se do ta apelojë vendimin në shkallët e tjera të drejtësisë.
Ndaj Izet Haxhisë ka një dënim të formës së prerë me 25 vite burg, por i dhënë në mungesë.
Ky dënim i dhënë në mungesë sipas avokatit Fran Dashi bën që të kërkohet rihapja e dosjes ‘Azem Hajdari’.