Njëri prej pronarëve të lokalit ku shpërtheu tritoli në Rrjoll të Velipojës, Kristian Preka tregon se persona të maskuar në orët e para të mëngjesit kanë hedhur lëndën plasëse. Preka i cili është vëllai i shtetasit Paris Preka por që mban edhe emrin Andis Danaj, thotë se kjo është hera e dytë që sulmohen pasi një ngjarje e ngjashme ka ndodhur edhe para pak kohësh.
I riu tregon se prej 10 vitesh është emigrant në Gjermani dhe ka nënshtetësinë gjermane dhe është rikthyer për të investuar në vendin e tij por tashmë është i zhgënjyer pas këtyre ngjarjeve kriminale me të cilat po përballen. Preka kërkon nga policia që ta zbardh ngjarjen dhe autorët të vihen përpara përgjegjësisë ndërsa thotë se nuk e ka idenë se kush mund të jenë autorët pasi nuk ka konflikte me kend.