Në komisionin Qendror të Zgjedhjeve është vendosur si se do të jetë fleta e votimit per zgjedhjet e 14 Majit. KQZ në krah të çdo partie politike ka radhitur emrin e kryetarit të asaj force politike por në rastin e koalicioneve nuk e ka bërë këtë. KQZ fsheh nga fleta e votimit emrin e Ilir Metës si drejtues i koalicionit të tij me Berishën.
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Indrit Sefa, ngriti shqetësimin se përse fshihet emrin i Ilir Metës si drejtues i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë”. Ai tha se po shkelet ligji me këtë format flete, ku drejtuesi i koalicionit nuk përmendet në fletë. Për t’ia kujtuar Sefa nxori një fotografi të printuar: “Ky në foto është Ilir Meta, kryetar i koalicionit”, tha ai.
“Ka ndonjëherë në historinë e KQZ që në fletën e votimit kur kemi të bëjmë me një koalicion të mos jetë vendosur emri i kryetarit. Ekziston ndonjëherë një precedent të tillë? Sa për informacion me ndryshimin e Kodit në vitin 2020 ka ndryshuar edhe strukturimi i KQZ. Dhe Komisioneri sigurish që ka praktika të tjera”, deklaroi Sefa. Përfaqësuesi i PD tha se ky është precedenti i parë.
Ndërkohë që përfaqësuesi i Partisë së Lirisë, Kaziaj e argumentoi kërkesën e tyre për të mos e pasur në fletën e votimit emrin e Ilir Metës se nuk ndikon pasi sipas tij votohet programi.
“Nuk do të thotë që zgjedhjet i fiton kryetari i një partie politike por forca dhe programi që i fiton zgjedhjet. Nuk duam ne të mburremi me emrat e kryetarëve të partisë. Nuk duam ta bëjmë show politik një fletë votimi por do ta bëjmë fletën ku votuesi të drejtohet nga ligji dhe jo nga emri i kryetarit i partisë”, tha Kaziaj.
Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në KQZ, Eridjan Salianji deklaroi se “nëpërmjet fletës së votimit Partia e Lirisë që kërkon fletë pa emër Kryetari Koalicioni dhe pa logo “nëpërmjet kësaj flete po fshihet mbas gishtit duke çuar votuesit në çadrën e Shtëpisë së Lirisë”.
Në përgjigje të deklaratave të përfaqësuesve politikë, Komisioneri Celibashi, duke argumentuar vendimin e tij, tha se principi kryesor në ligj kur bëhet fjalë për është qartësia e votuesve për të bërë zgjedhjen e tyre. Sipas tij e gjitha kjo varet nga dëshira e koalicionit vetë nëse do apo jo.
“Dhe ajo çka e bën legjitime kërkesën e çdo subjekti zgjedhor në lidhje me fletën e votimit është qartësia e të dhënave të tij ashtu siç duhet të jenë dhe të qarta për votuesit. Dhe e dyta nëse të dhënat e një subjekti tjetër janë të tilla që konfondojnë votuesit në lidhje me subjektin. Nuk ka asnjë urdhërim të vendosjes së emrit të kryetarit të koalicionit. Në të kaluarën ka qenë marrëveshje dhe zgjedhje e vetë atyre. Marrëveshja në koalicion është koncept i ri i vendosur nga ndryshimet në Kod Zgjedhor. Më parë ka qenë zgjedhje e vendosur në vullnetin e partive të koalicionit.
Pra, ka qenë kërkesë e qartë e subjektit zgjedhor të koalicionit për të vendosur një emër të njërit prej kryetarit të partive të koalicionit. Për të kuptuar që nuk ka një domosdoshmëri ka logjikë dhe ka sens, sepse në rastin e koalicionit ka minimalisht 2 parti dhe ngelet në vlerësimin e tyre legjitimiteti i interesit për përmbajtjen e fletës së votimit sa i përket subjektit të tyre. Është tërësisht interesi i ligjshëm i atij që lidhet me emrin apo të dhënat e tjera të subjektit”, tha Celibashi duke ia lënë në dorë totalisht përfaqësuesit të Partisë së Lirisë ta vendosë nëse e do emrin e kryetarit në fletë votimi apo jo.