Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi thotë se mijëra qytetarët po torturohen në pikat e kalimit kufitar, ndërsa akuzon qeverinë se i ka braktisur ata. Sipas tij, shtimi i fluksit në orët e ardhshme do ta bëjë situatën më kritike.
Reagimi:
Mijëra qytetarë të braktisur nga Qeveria po torturohen për orë të tëra në pikat e kalimit kufitar të Kapshticës dhe Qafë-Thanës!
Katër deri në pesë orë i duhet një shtetasi shqiptar të kalojë kufirin me Greqinë për të shkuar pranë familjes për Krishtlindje. Ndërsa një deri dy orë për të hyrë në territorin shqiptar nga Maqedonia e Veriut.
Raportimet nga terreni bëjnë me dije se shtimi i fluksit në orët e ardhshme do ta bëjë situatën më kritike.
Çdo shqiptar që po torturohet në kufi meriton të trajtohet me dinjitet, jo si njeri pa shtet dhe pa Atdhe!
Kryeministri, ministri i Jashtëm dhe çdo titullar institucioni përgjegjës të ndërpresin urgjentisht pushimet e fundjavës, të çojnë shtetin në këmbë, të vendosin kontaktet me homologë e tyre dhe të garantojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve!
Zgjidhja duhet të jetë e menjëhershme!