Bordi i drejtorëve Ekzekutiv të FMN-së miratoi rishikimin e pestë dhe të gjashtë të marrëveshjes me Shqipërinë duke i hapur rrugë disbursimit të këstit prej 72.4 milionë eurosh.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i FMN-së, Min Zhu, deklaroi në Uashington se rimëkëmbja e ekonomisë shqiptare po ecën sipas programit, ndonëse ekzistojnë risqe. Sipas tij, autoritetet shqiptare kanë treguar një performancë të fortë duke përmbushur objektivat e marrëveshjes me FMN-në, përfshirë zbatimin e reformave strukturore të vështira dhe ambicioze. Në njoftimin zyrtar FMN-së thuhet se autoritetet shqiptare duhet të vazhdojnë programin e reformave dhe të përfitojnë nga progresi thelbësor që kanë arritur deri më tani për të përshpejtuar rritjen ekonomike të vendit. Por, në njoftim e FMN-së ka edhe disa rekomandime për qeverinë. Së pari, duke vlerësuar se qëllimi i qeverisë për të vazhduar konsolidimin fiskal është ai i duhuri, FMN i kërkon asaj të reduktojë mbështetjen në masat e përkohshme dhe të shmange përjashtimet fiskale apo vendosjen e normave preferenciale. Një kërkesë kjo që duket e lidhur me masën e fundit të qeverisë për të përjashtuar nga taksat 83 mijë bizneset të vogla. Por, veç kritikave për përjashtimet tatimore, FMN i tërheq vëmendjen qeverisë edhe në një drejtim tjetër, që lidhet me mënyrën se si ajo po përpiqet të luftojë informalitetin. Sipas FMN-së, përpjekjet e autoriteteve shqiptare për të përmirësuar mbledhjen e taksave duhet të përputhen më mirë me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe duhet të mbështeten në përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore. Në fund, Fondi i bën thirrje për kujdes edhe për koncesionet duke kërkuar që ato të vlerësohen në mënyrë transparente në llogaritë fiskale.

Artikulli paraprakRIKTHEHEN AKSIONET PËR LIRIMIN E HAPËSIRAVE PUBLIKE
Artikulli tjetërTJETER SHPERTHIM NE TURQI, REGJISTROHEN 7 VIKTIMA