Ekonomia shqiptare do të rimëkëmbet me ritme të ngadalta këtë vit si pasojë e krizës së pandemisë.
Këto janë pritshmëritë e Fondit Monetar Ndërkombëtar i cili në raportin e fundit për “Pasqyrën Ekonomike Globale” vlerëson se ekonomia do të rritet me 5% në 2021, duke ulur kështu pritshmëritë pasi në vlerësimin e fundit parashikonte një rritje prej 6.1%.
Ndërsa për vitin e kaluar, FMN raporton se ekonomia e vendit u tkurr me 3.5%, një rezultat i ngjashëm më atë të publikuar pak ditë më parë nga Instat prej 3.3%.
Në raport me rajonin, Shqipëria rezulton me rënien më të ulët pas Serbisë, teksa më I prekur nga pandemia është Mali i Zi për shkak edhe të varësisë së lartë nga turizmi, ekonomia e të cilit u tkurr me 15.2% një vit më parë.
Ndërsa në vendet e tjera si Kosovë, Maqedoni e Bosnje Hercegovinë recesioni ka qenë më i zbutur duke mos kaluar 6%.
Parashikimet e institucionit financiar ndërkombëtar shkojnë thuajse në linjë me atë të vetë qeverisë e cila pret që ekonomia të rritet me 5.5% këtë vit, teksa banka qendrore është më konservatore në vlerësimet e saj dhe ka një pritshmëri për rritje ekonomike në nivelin e 4.9%.